Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi, që në ditën e parë të punës së saj në detyrën e re është përballur me probleme.
Ajo ka bërë të ditur se dikush ka hapur një profil të rremë në emrin e saj në rrjetin social Twitter dhe ka postuar lajme të rreme.
Nga kjo llogari e rreme në Twitter me emrin e ministres Dumoshi, thuhej se ka vdekur shkrimtari Ismail Kadare.
Këto postime janë shkruar në gjuhën angleze, ku në njërin prej tyre thuhet se homologia e Dumoshit nga Shqipëria Elva Margariti ia ka konfirmuar lajmin për vdekjen e Kadaresë
Ajo permes rrjetit social Facebook sqaron për demantimet ndaj saj.

Postimi i plotë:
Të dashur miq,
Sapo u njoftova se dikush ka hapur një llogari të rrejshme në emër timin në rrjetin social Twitter dhe të njëjtën e ka keqpërdorur, duke lëshuar lajme të rrejshme -fake news.
Dua të ju informoj se unë nuk kam asnjë llogari në Twitter.
Menjëherë do ta paraqes rastin në Policinë e Kosovës, departamentin e krimeve kibernetike.
Dëshiroj të shpreh keqardhjen time për këdo që mund të jetë trazuar nga këto lajme të rrejshme, duke keqpërdorur emrin tim.
Me respekt,
Vlora