Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, është deklaruar pak para fillimit të seancës plenare për votimin e Qeverisë së Kosovës.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, pak para fillimit të seancës plenare të Kuvendit, ku pritet të votohet Qeveria e Kosovës, ka folur edhe për postin e kryeparlamentarit.
Ai ka thënë se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sot duhet të lirojë apo të japë dorëheqje nga posti i tij.
“Marrëveshja është politike, tash pjesa tjetër është procedurale dhe kryetari duhet të deklarohet për lirimin e pozitës së tij dhe më pas ai do të zëvendësohet nga kandidati apo kandidatja”, u shpreh ai.
I pyetur se a do të bëhet sot ky ndyrshim, Zemaj tha se edhe gjatë ditës së sotme është e mundur që të emërohet kandidati i ri për të parin e Kuvendit të Kosovës
“Besoj që po sepse kjo mund të bëhet sepse është çështje procedurale që do të mund të realizojë edhe Kuvendi i Kosovës”, deklaroi Zemaj, raporton lajmi.net.
Ai po ashtu ka thënë se me krijimin e Qeverisë së re të Kosovës do t’iu kthehet edhe dinjiteti dhe besimi qytetarëve të vendit.