Publicisti Veton Surroi ka thënë sot se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës mund t’u rikthehen negociatave për koalicion prej një këndi tjetër, atij të zgjedhjes së Presidentit/es, shkruan InLajmi.
Surroi në një postim në profilin e tij Facebook shkruan se pjesë e marrëveshjes së koalicionit mes LVV-LDK nuk duhet të jetë as emri i kandidatit/es e as përkatësia e tij/saj partiake , por procedura me të cilën partitë nënshkruese të Koalicionit do ta propozojnë kandidatin/en që mund të ketë pëlqimin edhe të partive që nuk janë pjesë të koalicionit në pushtet.
Postimi i plotë i tij:
LVV dhe LDK mund t’u rikthehen negociatave për koalicion prej një këndi tjetër, atij të zgjedhjes së Presidentit/es. Kjo çështje qe një prej pengesave të mëdha dhe konstante për arritjen e marrëveshjes por nuk ka nevojë të jetë e tillë. Në mënyrë që të zgjidhet, do marrë në konsideratë këto pika:
- Koalicioni LVV-LDK duhet ta ketë të formalizuar zgjidhjen për çështjen e Presidentit/es, në mënyrë që kjo çështje të mos shtrohet si pengesë e funksionimit të Koalicionit kur të vijë koha e zgjedhjes e Presidentit/es
- Sipas Kushtetutës dhe vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti/ja nuk i ‘përket’ asnjë partie politike, andaj zgjedhja e Presidentit/es duhet të jetë pjesë e së paku dy rrathëve të ndërtimit të konsensusit: një brenda koalicionit qeverisës dhe një tjetri me opozitën.
- Pjesë e Marrëveshjes së koalicionit mes LVV-LDK nuk duhet të jetë as emri i kandidatit/es e as përkatësia e tij/sa partiake, por procedura me të cilën partitë nënshkruese të Koalicionit do ta propozojnë kandidatin/en që mund të ketë pëlqimin edhe të partive që nuk janë pjesë të koalicionit në pushtet.
Nëse LVV dhe LDK arrijnë një pajtim për procedurën e ndërtimit të konsensusit për Presidentin/en, atëbotë do të forcojnë idenë e balancit të pushtetit nëpërmjet bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë.
Njëherë e zgjidhur kjo çështje, mund t’u rikthehen çështjeve të mbetura, të pakta dhe që të gjitha të zgjidhshme”./InLajmi