Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti shkruan pas publikimit të kërkesës së tij për seancë të hënën në ora 11:00.
Kurti ka treguar detaje nga takimi me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të sigurisë dhe zëvendës presidentin e Komisionit në Bashkimin Evropian, Josep Borrell Fontelles.
“Diskutuam për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në në kuadër të procesit të integrimit si dhe për dialogun e zhvilluar nën drejtimin e BE-së. E përsërita qëndrimin tonë për shqyrtimin e marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani, për nga zbatimi e ndikimi i tyre, dhe nevojën e një diskutimi me z.Borrell për fazën e re të dialogut me Serbinë. Duhet të rishikojmë dhe vlerësojmë cilësinë e marrëveshjeve të mëhershme para se të negociojmë dhe nënshkruajmë marrëveshje të reja. Nuk duhet të vonohemi, por edhe nuk mund të ngutemi”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.
Postimi i plotë i Kurtit:
Sot e mirëpritëm në Prishtinë përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë/zëvendës presidentin e Komisionit në Bashkimin Evropian, z. Josep Borrell Fontelles.
Diskutuam për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në në kuadër të procesit të integrimit si dhe për dialogun e zhvillluar nën drejtimin e BE-së. E përsërita qëndrimin tonë për shqyrtimin e marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani, për nga zbatimi e ndikimi i tyre, dhe nevojën e një diskutimi me z.Borrell për fazën e re të dialogut me Serbinë. Duhet të rishikojmë dhe vlerësojmë cilësinë e marrëveshjeve të mëhershme para se të negociojmë dhe nënshkruajmë marrëveshje të reja. Nuk duhet të vonohemi, por edhe nuk mund të ngutemi.
Dialogu duhet të jetë për çështjet e pa adresuara e të pa zgjidhura, duhet të jetë i përgatitur dhe parimor. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, kjo duhet të jetë premisa e çdo dialogu dhe epilogu i çdo marrëveshje.
Ne besojmë në fuqinë e Bashkimit Evropian për t’u bashkuar rreth qëllimeve të përbashkëta për të mirën e përbashkët. Zgjidhja e çështjeve të mbetura mes Kosovës e Serbisë është në interes të gjithë rajonit.
Gjithashtu e njoftova z. Borrell edhe me përpjekjet për krijimin e qeverisë së re e cila do të marrë drejtim në javën që vjen. Drejtësia e shtetit me sundim të ligjit dhe zhvillimi ekonomik me punësim sidomos për të rinjtë dhe gratë do të jenë prioritet yni. /InLajmi/