Sami Thaqi, polici i vrarë dje në Prizren u dekorua nga presidenti Thaçi me urdhërin “Hero i Kosovës”.
Thaqi, pjesëtar i Policisë së Kosovës në Njësitin e Anti-Drogës vdiq tragjikisht mbrëmë pas shpërthimit të një eksplozivi në shtëpinë të cilën ishin duke e bastisur bashkë me kolegët e tij.
Si rrjedhojë lëndime trupore pësuan edhe dy pjesëtarë të tjerë të Policisë së Kosovës, si dhe një familjar i personit të arrestuar, pronarit të shtëpisë, shkruan lajmi.net.
E ky i fundit nga Prokuroria e Prizrenit nuk po ngarkohet me veprën penale të “vrasjes” apo “vrasjes së rëndë”. Nga hetimet fillestare, i njëjti dyshohet për veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.
Avokati i njohur i lëmisë penale, Asdren Hoxha, ka shpjeguar në detaje për rrethanat në të cilat Prokuroria mund ta ketë cilësuar në këtë formë këtë vepër penale.
Hoxha ka treguar se nëse nuk ka elemente të dashjes direkte apo eventuale në këtë rast, vepra klasifikohet në atë formë të cilën e ka bërë prokuroria.
“Nuk ka vrasje pa element të dashjes direkte apo dashjes eventuale. Pra është çështje e rrethanave edhe provave të hetimit që ngërthejnë në vetë situatën. Nëse ka prova që ka dashur i pandehuri ta vrasë tjetrin, atëherë është vrasje, por nëse nuk ka prova për dashje por vetëm për eksploziv atëherë është shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ka thënë Hoxha.
Hoxha e cilëson si veprim mjaft të guximshëm atë të prokurorisë së Prizrenit, ngase siç thotë ai, është vlerësuar drejt situata
“ Në këtë situatë sigurisht eksplodimi ka ndodhur pa dashje për vrasje dhe nuk mund të kualifikohet si vrasje. Pra, mendoj se prokuroria ka vlerësu drejt situatën dhe dhe e ka kualifiku si shkaktim të rrezikut të përgjithshëm me pasoja fatale. Edhe pse në këtë fillim apo në këtë fazë të hershme është një veprim i guximshëm i prokurorisë që të vlerësojë situatën pa vepër penale vrasje e rëndë, por ta vlerësojë drejtë kësi soji”, ka thënë Hoxha.
Në këto rrethana në këtë fazë fillestare të hetimeve, Hoxha shprehet i bindur se veprimet e prokurorisë janë të duhurat, teksa tregon se vepra penale me të cilën ngarkohet i dyshuari mund të dënohet deri në 8 vite burg.
“Unë jam i bindur se nuk ka vrasje por vetëm shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Kurse, vepra penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm me pasoja fatale, dënimi është 1 deri në 8 vite burg, jo më shumë”, ka thënë në fund Hoxha. Avokati: Asdren Hoxha
Ndryshe, Sami Thaqi është pjesëtari i 21-të i Policisë së Kosovës i cili vdes në krye të detyrës.
Lajmi.net gjatë ditës së sotme ka raportuar për kujdesin që shteti ka treguar ndaj familjarëve të policëve të rënë në detyrë.
Ata deri më sot janë varur nga pensionet dhe donacionet nga individë të vullnetit të mirë.