Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, bashkë me kabinetin qeveritar, kanë bërë sot homazhe te pllaka përkujtimore për Hebrenjtë, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
“Në nderim të njerëzve që kanë humbur jetë, të hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore, në përkujtim të tragjedisë më të madhe të njerëzimit, në emër të Qeverisë, të popullit të Kosovës, vendosa lule dhe bëmë nderim te memoriali kushtuar Sinagogës së fundit që ka ekzistuar këtu në Kosovë”, u shpreh kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se kjo po bëhet në respekt edhe të trashëgimisë e kulturës, por edhe tragjedisë njerëzore që ka ndodhur.
Ndër tjerash, kryeministri në detyrë, Haradinaj, theksoi se duke i nderuar gjithë ata njerëz të pafajshëm, duke përkujtuar gjithë atë tragjedi, ne sigurohemi që tragjeditë e tilla të mos përsëriten.
“Për fat të keq edhe populli i Kosovës e ka përjetuar një tragjedi të madhe, të përmasave të jashtëzakonshme dhe ne bashkëndjejmë me të gjithë ata që tragjeditë kanë kaluar nëpër jetërat e tyre”, përfundoi kryeministri në detyrë Haradinaj./InLajmi