Me pjesëmarrje masive të futbollistëve të grupmoshave 15 deri 19 vjeç, sot, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë është mbajtur ligjërata e radhës kundër kurdisjeve të ndeshjeve në futboll.
Para futbollistëve të rinj të Rajonit të Prishtinës ligjëroi zyrtari për integritet të garave në FFK, Ejup Osmani, transmeton Klan Kosova.
Ligjëratat e tilla janë obliguese dhe mbahen çdo vit në të gjitha regjionet, me të gjitha klubet në grupmosha të ndryshme në të dyja konkurrencat si dhe me gjyqtarë.
Zyrtari për integritet i FFK-së theksoi se këto ligjërata kanë dhënë efektin e tyre, pasi futbolli i Kosovës është në rrugë shumë të mirë dhe FFK-ja vlerësohet si federata më ‘fair-play’ sa i përket ndeshjeve nga UEFA.
Tutje, ai ka ritheksuar rëndësinë e garave të ndershme dhe në frymë sportive. Megjithatë, ka thënë se jo të gjithë njerëzit dëshirojnë që të ketë gara korrekte, pasi çdo kund ka individë apo grupe të interesit, të cilat për përfitime në bastore synojnë që me paratë e tyre të pista nga droga dhe dukuritë e tjera negative të çrregullojnë mbarëvajtjen e garave, duke i kurdisur ndeshjet e futbollit.
Prandaj, Osmani ka kërkuar nga futbollistët e rinj që çdo herë të jenë të vëmendshëm dhe nëse në të ardhmen do të hasin në njerëz të tillë t’i paraqesin ata në organet e Federatës, hetuesisë e prokurorisë.
Njëherësh para futbollistëve është paraqitur edhe video-materiali i UEFA-s kundër kurdisjeve të ndeshjeve.
Njëri nga futbollistët pjesëmarrës të këtij aktiviteti, Eron Zeka nga KF “2 Korriku”, theksoi se kjo ligjëratë ka qenë e mirëseardhur për të dhe bashkëlojtarët e tij.
“Kjo ligjëratë ishte mjaft e dobishme për ne, ngase mësuam shumë gjëra sa i përket kurdisjeve të ndeshjeve. Besoj se tash e tutje do të jemi edhe më të vëmendshëm në raport me gjërat e tilla negative”, theksoi Zeka.
Kujtojmë që materiali i cili është prezantuar në këtë ligjëratë është marrë nga UEFA. Ligjëratat e këtilla do të vazhdojnë edhe në rajonet e tjera.