Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, kërkon shkarkimin e kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me aktivistët e rekrutuar në organizatën terroriste “Syri i Popullit”.
Ismaili me tej tha se Konjufca inspiroi dhe rekrutoi aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të “Syrit të Popullit”, prandaj, sipas tij, është e papranueshme që ai ta ushtrojë detyrën e Kryeparlamentarit të Kosovës.
“Glauk Konjufca duhet të shkarkohet sa më parë. Jo për pazare politike, por për faktin se inspiroi dhe rekrutoi aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të “Syrit të Popullit”. Është e papranueshme që ai ta ushtrojë detyrën e Kryeparlamentarit të Kosovës, ndërkohë që aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të “Syrit të Popullit” morën dënimin nga drejtësia kosovare për veprimtarinë e tyre kriminale”, ka shkruar Ismaili në rrjetin social Facebook.
Shkrimi i plotë i Ismailit:
Glauk Konjufca duhet të shkarkohet sa më parë. Jo për pazare politike, por për faktin se inspiroi dhe rekrutoi aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të “Syrit të Popullit”. Është e papranueshme që ai ta ushtrojë detyrën e Kryeparlamentarit të Kosovës, ndërkohë që aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të “Syrit të Popullit” morën dënimin nga drejtësia kosovare për veprimtarinë e tyre kriminale.
Nuk është çudi që aktivistët e LVV-së themeluan “Syrin e Popullit” dhe krijuan lista për të vrarë figura të ndryshme publike, përfshirë kundërshtarët politikë. Azem Vllasi i shpëtoi atentatit dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të “Syrit të Popullit” u kapën.
Lëvizja Vetëvendosje asnjëherë nuk është distancuar nga përdorimi i dhunës si mjet politik. Përkundrazi. Përgjatë viteve, ka përdorur dhunën dhe ka inspiruar edhe të tjerët të veprojnë njësoj. Duke filluar nga protestat me molotovë, gurët ndaj policisë, shkatërrimi i pronës publike e private, djegia e veturave. Sulmi me vezë ndaj civilëve dhe incizimi e publikimi i videove që tregonin këtë akt, që në fakt është teknikë e përdorur nga organizata të ndryshme terroriste, si shpërndarje e idesë së dhunës dhe frymëzim për zgjerimin e saj nga fanatikët e VV-së.
Lista dhe koha e ushtrimit të dhunës nga Lëvizja Vetëvendosje është e gjatë. Deri më sot, asnjë distancim prej tyre.
Ky është tregues i qartë i mentalitetit të dhunës që ka ushqyer partia e Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës me shokë e shoqe. Në sy të popullit.
(Foto: I dënuari i “Syrit të Popullit”, Sadri Ramabaja, gjatë konferencës në Lëvizjen Vetëvendosje) /InLajmi/