Pas tre vitesh krizë politike në Britaninë e Madhe që prej referendumit të vitit 2016, Brexit pritet të ratifikohet tashmë nga Parlamenti Evropian të mërkurën e ardhshme, para se ndarja të hyjë zyrtarisht në fuqi.
Bashkimi Evropian njoftoi sot emërimin e ambasadorit të parë në Britaninë e Madhe, i cili do të marrë funksionet e tij duke nisur nga 1 shkurti.
“Portugezi, Joao Vale de Almeida do të marrë kryesimin e delegacionit që do të përfaqësojë Unionin në Britaninë e Madhe”, njoftoi në një komunikatë shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, shkruan ATSH.
Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian përfunduan procedurat e fundit para ndarjes së tyre. Presidentët e institucioneve evropiane nënshkruan sot marrëveshjen e divorcit dhe ia transmetuan Parlamentit Evropian për ratifikimin më 29 janar, akti i fundit në kuadër të finalizimit të shkëputjes nga një union i bashkuar.