Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Lulzim Ejupi ka pritur një delegacion të lartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga, Zëvendës- Ndihmës Sekretari i Shtetit nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të ligjit, Jorgan Andrews, shkruan InLajmi.
Në këtë takim, sekretari Ejupi e njoftoi, Zëvendës-Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Andrews për situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë, për angazhimet e vazhdueshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe narkotikëve.
“MPB në kuadër të misionit të saj do të vazhdojë luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar,duke ndërmarrë veprime konkrete në këtë aspekt. Ne kemi hartuar dokumente strategjike sa i përket luftës kundër narkotikëve dhe jemi të përkushtuar që në kontinuitet të angazhohemi në parandalimin e këtyre dukurive me të cilat ballafaqohen shumë shtete të botës”, ka thënë Ejupi.
Me këtë rast, Lulzim Ejupi shprehi mirënjohje të veçantë rolit që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në raport me Republikën e Kosovës në të gjitha fushat dhe kërkoi që përkushtimi që kanë SHBA-të ndaj Kosovës, të jetë i përhershëm, duke i ofruar partneritetin e institucioneve të Sigurisë në të gjitha përpjekjet e përbashkëta.
Andrews është takuar edhe me kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj të cilët kanë biseduar për partneritetin e Kosovës me SHBA-në në luftë kundër trafikimit të narkotikëve, krimit të organzuar dhe korrupsionit./InLajmi/