Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës ka nënshkruar sot në Ambasadën Amerikane në Berlin të Gjermanisë një letër të interesit me aviokompaninë gjermane Lutfhansa, për të hapur linjën ajrore Prishtinë–Beograd.
Të njëjtën letër të interesit me kompaninë gjermane e ka nënshkruar edhe delegacioni i Serbisë, nga Ministria e Ekonomisë.
Përmes kësaj letre të interesit e cila u nënshkrua në prani të ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, aviokompania Lufthansa ka kërkuar që institucionet e Kosovës të ofrojnë përkrahjen e nevojshme për fluturimet që do të realizohen në të ardhmen.
Në konferencën për media në Berlin, ku u njoftua publiku për këtë çështje, ishte i pranishëm edhe këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit Trump, Robert O’Brien.
Por, megjithatë është e paqartë se kur do të mund të filloj funksionimi i kësaj linje ajrore. Kjo, pasi shefi operativ të Eurowings, Michael Knitter, tha se fluturimet do të fillonin pasi të jenë evituar pengesat nga ana e të dyja shteteve.
Drejtori i të ashtuquajturës, Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se kjo linjë mund të jetësohet vetëm pasi të hiqet tarifa 100 për qind që Republika e Kosovës e ka vënë ndaj mallrave serbe, dhe pasi të rikthehet dialogu mes Prishtinës e Beogradit.
Sipas komunikatës së Ministrisë së Ekonomisë në Qeverinë e Serbisë, rifillimi i linjës ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës do të lehtësonte udhëtimin dhe komunikimin e qytetarëve të gjitha nacionaliteteve dhe do ta afronte Prishtinën me Beogradin dhe anasjelltas.
Në ministrinë serbe vlerësojnë se është e nevojshme që Prishtina të kthehet në tryezën e bisedimeve.
“Që linja ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës të realizohet vërtetë të jetësohet, është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës pa vonesë të heqë taksën prej 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, dhe të fillojnë zbatimin e një numri të obligimeve të marra dhe të kthehet në tavolinën e dialogut të mbikëqyrur nga Bashkimi Evropian”, thuhet në deklaratën e Ministrisë serbe të Ekonomisë, shkruan Telegrafi.
Sipas asaj që thuhet në komunikatë, me nënshkrimin e marrëveshjes, Serbia po e dëshmon vullnetin për lëvizjen e lirë të mallrave dhe po kundërshton kufizimet siç i quajnë ata “të vendosura artificialisht”