Kreu u Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është takuar me 120 studentë ndërkombëtarë nga Universiteti i Vjenës dhe i Venedikut.
Kurti në këtë prezantim ka folur për situatën aktuale politike në vend, duke sqaruar rëndësinë e zgjedhjeve të 6 tetorit, arsyet e vonesës për formimin e institucioneve të reja dhe përpjekjet për formimin e tyre, shkruan InLajmi.
“Pas prezantimit të shkurtër, studentët parashtruan pyetjet që zgjeruan diskutimin mbi pikat programore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që lidhen me ekonominë dhe investimet, drejtësinë dhe procesin e vetingut si dhe edukimin dhe sistemin dual të arsimit. Studentët mes tjerash u interesuan edhe për qëndrimet e Lëvizjes për çështje të caktuara ndër vite, për hapat konkret të Lëvizjes si udhëheqëse e qeverisë së ardhshme, si dhe për marrëdhëniet dhe politikat që bashkojnë komunitetet e ndryshme në Kosovë.
Studentët falënderuan Kryetarin Albin Kurti për prezantimin e bërë para tyre dhe përgjigjet në pyetjet dhe çështjet e ngritura nga ta. Kryetari Kurti njashtu i falënderoi ata për ftesën e tyre për pjesëmarrje në këtë diskutim dhe për interesimin e treguar”, shkruhet në njoftimin e VV-së./InLajmi/