Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj deklaratës së nënkryetarit Agim Veliu, i cili kritikoi Vetëvendosjen për qasjen rreth arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje, i cili ndër të tjera kishte thënë se veprimet e ditëve të fundit të VV-së s’janë përpjekje serioze për ndërtimin e institucioneve, shkruan InLajmi.
Vjosa Osmani tha se në kohën kur u tentua shfuqizimi i Gjykatës Speciale, ishte vetëm Vetëvendosja që doli bashkë me LDK-në për “të mbrojtur shtetësinë, miqësitë dhe orientimin properëndimor të vendit”.
Osmani në zgjedhjet e fundit ka kujtuar një deklaratë të ambasadorit amerikan në atë kohë, Greg Delawie kur kishte thënë “çfarë ju duhet partia kur nuk do të ketë më Kosovë?.
Postimi i plotë i saj:
“Miqësitë që LDK-ja ndërtoi me botën demokratike janë ato që përcaktuan orientimin strategjik të vendit tonë: orientim pro-perendimor e euro-atlantik.
Para rreth dy vitesh, partitë në pushtet, ato të koalicionit PAN, filluan nismën për shfuqizimin e gjykatës speciale, e cila nga partnerët tanë u quajtë ‘thikë pas shpine’, ‘rreziku më i madh në Kosovën e pasluftës’, ‘shkatërrim i miqësive’, e ‘shkelje e orientimit euro-atlantik’.
Meqë miqtë tanë ndërkombëtarë dhe kërkesat e tyre injoroheshin nga Presidenti i vendit dhe partitë në pushtet, që të gjithë u drejtuan tek zyret e LDK-së. Sërish, ishte pikërisht LDK-ja, vendi ku do të mbrohej shtetësia, miqësitë dhe orientimi pro-perendimor i vendit. Por këtë nuk mund ta bënim vetë. Ishte vetëm një parti që i doli në krah përpjekjeve të LDK-së atë ditë: Lëvizja Vetëvendosje. Atë mbrëmje, për këdo që e kupton politikën drejtë, është ndërtuar koalicioni i shpresës. Atë ditë, është rikonfirmuar orientimi pro-perendimor dhe euro-atlantik i vendit tonë. Atë nuk e bëri LDK-ja vet, e as LVV-ja vetë…por e bënë LDK dhe LVV bashkë, me bekimin e miqve tanë ndërkombetarë.
Pyetja që shtrohet sot për kundërshtuesit, penguesit e bllokuesit e ndryshimit, në një kohë kur Kosova rrezikon të zbrazet e të shndërrohet në shtet të dështuar, është pikërisht e njëjtë me atë që Ambasadori i atëhershëm amerikan e bëri në zyret tona në orët e vona të mbrëmjes në prezencë të zyrtarëve të LDK e LVV në v.2017: ÇFARË DO JU DUHET PARTIA KUR NUK DO TË KETË MË KOSOVË?”