Inspektorati i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë konfiskon mallra të falsifikuara
Pas ankesave nga ana e qytetarëve Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, gjegjësisht Inspektorati ka marr aksion për konfiskimin e mallrave të falsifikuara dhe pa mbulesë të faturave.
Ky aksion po kryhet për ta mbrojtur ligjshmërinë dhe markat tregtare që janë të mbrojtura me ligj.
Kryeinspektori i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Lulzim Syla ka theksuar se aksioni është duke u kryer në bashkëpunim me Doganat e Kosovës dhe Policinë, i cili do të vazhdojë në tërë territorin e Kosovës.
Syla ka theksuar se iu ka kërkuar edhe inspektorateve komunale ta zbatojnë ligjin dhe t’i largojnë nga tregu brendet e falsifikuara.
“Aksioni do të vazhdojë në tërë Kosovën dhe do të kontrollohen të gjitha mallrat, dhe ato që nuk kanë mbulueshmëri ligjore do të konfiskohen. Falënderoj Policinë e Kosovës dhe Doganat për bashkëpunimin e treguar dhe ditët në vazhdim do të jemi në terren bashkë me inspektorët e MTI-së”, ka thënë Syla.
Në aksionin e sotëm nga MTI-ja janë konfiskuar qindra palë me atlete të brendeve të njohura që kanë qenë të falsifikuara dhe nuk kanë pasur mbulueshmëri me fatura.
MTI lut të gjithë qytetarët që nëse hasin në raste të tilla ta lajmërojnë inspektoratin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe do të ndërmerren veprime të menjëhershme./InLajmi