Më 6 janar u bënë tre muaj nga përfundimi i zgjedhjeve të 6 tetorit. Kështu, ditë pas dite po hyjmë në 100 ditëshin e këtij procesi. Sigurisht që secilit nga ne na kujtohet 100 ditëshi i famshëm i qeverisë Haradinaj, i cili la mandatin në gjysmë për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
Për dallim nga ndërprerja e detyrueshme e punës nga ana e ish Kryeministrit Ramush Haradinaj, 100 ditët e qeverisë Kurti po mbesin vetëm në tentativë.
Për rrjedhojë, qytetarët e Kosovës nuk po e marrin “shpërblimin” e votës së tyre të dhënë më 6 tetor. Vetëvendosje dhe LDK nuk po mund të merren vesh sa i përket çështjes së ndarjes së posteve brenda koalicionit.
Takimi i Albin Kurtit me Presidentin Thaçi i zhvilluar të hënën, ashtu siç pritej nuk prodhoi asgjë përveç një spektakli mediatik pa shije. Dy protagonistët qëndronin si në therra përballë njëri tjetrit. Kjo të linte përshtypjen se Presidenti Thaçi, më lehtë e përballon një takim me Vuqiçin e Daqiqin se sa me Kurtin.
Pra, gjersa vazhdon rivaliteti ndërmjet krerëve të shtetit, vendi mund ta humbë shansin për liberalizimin e vizave në vitin 2020.
Takimi i së martës, ndërmjet liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti si dhe të parit të LDK-së, Isa Mustafa zgjati rreth tre orë. Në fund, prodhoi avazin e vjetër të rezultatit “U dakorduam për t`u takuar sërish”
E si për ironi apo për t`i dhënë paksa shpresë popullit, kreu i LDK-së deklaroi se nuk është i hidhëruar me Kurtin.
“S’jemi kanë idhnushëm me Albin Kurtin, kemi me u taku nesër”, tha shkurt Mustafa.
Është mjaft dëshpëruese se si dy subjekte që dikur e mendonin veten si partnere potenciale, sot të e vënë në pikëpyetje raportin e tyre për shkak të mosmarrëveshjes për postet.
Në fakt, LVV e ka vënë LDK-në para një akti të kryer, kur kreu i saj bëri dy deklarime publike për çështjen e arritjes së koalicionit.
Megjithatë, mbetet për t`u shpresuar që videoja e radhës e Albin Kurtit do të jetë pas takimin me Isa Mustafën ku do të merreshin vesh për koalicionin e shumë premtuar, shkruan Bota sot.
Nuk ka kohë për të humbur, madje edhe këto rreth 90 ditë që na i humbën nuk duhet t`ua falim..