Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) kanë publikuar Statistikat e Arsimit në Kosovë 2018/2019.
Sipas tyre rezulton se në Kosovë janë gjithsej 23.262 mësimdhënës, ku prej tyre femrat përbëjnë numrin më të madh të mësimdhënësve, 55% femra dhe 45% meshkuj.
Nga numri total, 12.773 janë të gjinisë femërore, ndërsa 10.489 të gjinisë mashkullore.
Në nivelin parashkollor janë 548 mësimdhënës, ku të gjithë janë femra, pa asnjë mashkull.
Në arsimin parafillor, fillor dhe të mesëm të ulët janë 17.453 mësimdhënës, ku prapë femrat përbëjnë numrin më të madh të tyre, me 10.044, e meshkujt me 7.409.
E në arsimin e lartë janë gjithsej 5.261 mësimdhënës, ku këtë herë meshkujt janë më shumë për nga numri me 3.080, ndërsa femrat me 2.181.
Sa i përket përkatësisë etnike në komuna, nga gjithsej mësimdhënës 97.1% janë shqiptarë, ndërsa 2.9% janë grupe tjera etnike.
Nga 23.262 mësimdhënës, 22.584 prej tyre janë shqiptarë, 187 turq, 460 boshnjak, 6 goran, 6 ashkalinjë, 6 rom, 5 egjiptian e 8 kroat, shkruan IndeksOnline.
Burim i të dhënave për arsimin parauniversitar është Sistemi i Menaxhimit të Informatave në Arsim (SMIA). Të dhënat për statistikat e arsimit te komuniteti serb ku nuk ka pasur shtrirje SMIA, me përjashtim të komunës së Kamenicës janë të grumbulluara nga ASK përmes pyetësorëve të statistikave të arsimit sipas niveleve. Ndërsa të dhënat për arsimin Universitar publik dhe privat janë grumbulluar nga ASK (në përjashtim të disa Kolegjeve private të cilat nuk kanë raportuar dhe janë të shënuara me simbolin përkatës në tabela)