Janë ushtarët e 28 nacionaliteteve brenda kampit të KFOR-it në Prishtinë.
Elisabeth Schleicher, nga Austria, tregon se është e impresionuar me ngrohtësinë që ia kanë ofruar njerëzit e Kosovës e po ashtu tha se i pëlqen ushqimi dhe “Skënderbegu”.
Shawn Harrisit, gjeneral brigade i KFOR-it amerikan, i pëlqen shumë dashuria, të cilën ia ofrojnë njerëzit jashtë kampit.
U përkasin nacionaliteteve të ndryshme, mirëpo kjo nuk u ka penguar të ulen e ta festojnë së bashku Krishtlindjen. Janë këta ushtarët e 28 nacionaliteteve të ndryshme brenda kampit të KFOR-it në Prishtinë.
Gazeta “Zëri” ka qëndruar brenda kampit pikërisht në natën e 24 dhjetorit. Me të hyrë në kamp ndihej atmosfera festive. Pema e Krishtlindjes, e zbukuruar nga ushtarët, dukej qartë qysh nga larg.
Ndërkaq hapësirat e secilit nacionalitet përveç me flamur dalloheshin edhe nga mënyra tradicionale e ndriçimit, që ua kishin bërë shtëpizave të tyre. Kudo që ekipi i gazetës hyri u prit me ngrohtësinë më të madhe nga secili ushtar e secili punonjës. Madje ushtarët italianë ftuan ekipin edhe brenda shtëpizës së tyre, në të cilën na shërbyen me tortën tradicionale italiane. Ndërkohë pak metra larg tyre gjendej hapësira ku pas pak do të niste festa. Tavolina të gjata e të rregulluara si është më së miri ishin mbushur me ushqime të shijshme. Mbi çdo tavolinë qëndronin flamujt e shteteve përkatëse, në mënyrë që ushtarët të dinin se ku të uleshin.
E në çdo karrige qëndronte nga një dhuratë për secilin ushtar. E gjithë festa nisi me urimin e komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Michele Risi, i cili i përgëzoi të gjithë ushtarët për punën që po e bëjnë, ndonëse larg familjeve të tyre.