Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli i është kundërpërgjigjur vikarit Gjeneral të Dioqezës Prizren-Prishtinë, Don Shan Zef i cili tha se Vatikani po vonon njohjen e pavarësisë, pasi e konsideron Kosovën vend mysliman, shkruan InLajmi.
Pacolli duke iu përgjigjur Don Shan Zefit, tha se kjo nuk është e vërtetë dhe se është pikërisht kreu i Vatikanit, Papa Françesku i cili ka vlerësuar faktin e tolerancë së madhe ndërfetare në Kosovë.
Pacolli tha se nuk duhet spekuluar në këtë drejtim, por që duhet të potencohet fakti që shumica myslimane si vlerë religjioze nuk përbën problem në asnjë mënyrë në raportet e Kosovës me Vatikanin.
Postimi plotë i tij:
Don Shan Zefi: “Vatikani po vonon njohjen e pavarësisë, pasi e konsideron Kosovën vend mysliman”.
Megjithë respektin, kjo nuk është e vërtetë, pasi që personalisht kreu i Vatikanit, Papa Francesku gjatë takimit që pata e konfirmoi faktin se Vatikani do duhej të ishte ndër vendet e para që duhej ta njihte Kosovën dhe një gjë e tillë, natyrisht se do të ndodhë.
Madje Papa Francesku e vlerëson faktin e tolerancës së madhe ndërfetare si virtyt i lartë që e karakterizon Kosovën.
Në këtë drejtim, nuk duhet të spekulohet, por duhet të potencohet fakti që shumica muslimane si vlerë religjioze nuk përbën problem në asnjë mënyrë në raportet tona me Vatikanin.
Përkundrazi, lidhja e marëdhënieve diplomatike ndërmjet shteteve tona është akt politik që do të ndodhë në të ardhmen./InLajmi