Në kuadër të shumë aktiviteteve, “Forumi për Udhëheqje dhe Diplomaci” ka mbajtur debatin e parë me gratë dhe vajzat për proceset e vendimmarrjes, me temën udhëheqja e partive politike, siguria e pjesëmarrjes së barabartë dhe gjithëpërfshirëse në sferën politike.
Drejtoresha e këtij forumi, Njomza Emini, ndër të tjera tha se bashkëpunimi dhe mbështetja që i ofrojnë gratë njëra-tjetrës, ju ndihmon ta rrisin prezencën e tyre në sferat publike.
Emini shtoi gjithashtu se pjesëmarrja e zonjës Kusari-Lila si shembulli i një gruaje të fortë dhe lidere në shumë çështje politike tregon më së miri se gratë munden dhe ia dalin edhe përkundër vështirësive.
E pranishme në këtë debat ishte edhe ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, e cila tha se është e nderuar që gjendet në mesin e gjithë këtyre grave dhe vajzave të reja me plot vizion.
Paneliste në këtë debat ishte edhe ish-kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila. Pos tjerash, ajo tha se garën në politikë dhe çdo biznes tjetër gratë duhet ta shikojnë shumë më larg, shkruan Gazeta Express.
“Forumi për Udhëheqje dhe Diplomaci” në vitin 2020 pritet ta zgjerojë aktivitetin dhe organizimin e debateve edhe nëpër regjionet e tjera të Kosovës.