Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i ka dërguar ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergji, telegram urimi me anë të së cilit të gjithë të krishterëve u uron shëndet, mbarësi dhe lumturi, shkruan InLajmi.
Në urim thuhet se Kërshëndella është moment i veçantë që simbolizon e përkujton lindjen, jetën e mbarësinë dhe po ashtu kjo festë përçon në mënyrën më të mirë mesazhin për ndërtimin e shoqërisë së shëndoshë humane.
“Sot, me rastin e festës së Kërshëndellave, kam nderin e veçantë t’ju drejtohem me këtë mesazh urimi e përgëzimi Juve, meshtarëve tuaj, si dhe të gjithë vëllezërve të krishterë duke ju dëshiruar shëndet, mbarësi e lumturi.
Kërshëndella, është moment i veçantë që simbolizon e përkujton lindjen, jetën e mbarësinë. Po ashtu kjo festë përçon në mënyrën më të mirë mesazhin për ndërtimin e shoqërisë së shëndosh e humane.
Zotni Ipeshkëv, festat fetare te ne gjithherë kanë qenë momente që na kanë bashkuar në të mirë, nga të cilat kemi mësuar e kultivuar tolerancën, harmoninë, ndërgjegjësimin për paqen e respektin e dashurinë për tjetrin.
Zotni Ipeshkëv, nëpërmjet jush, uroj e përgëzoj edhe të gjithë praninë ndërkombëtare katolike në Kosovë.
Duke ju përshëndetur, Ju dëshiroj shëndet, mbarësi e lumturi”, thuhet në telegramin e urimit./InLajmi