Që nga dita e djeshit fshati Krushë e Madhe në komunën e Rahovecit ka pasur mungesë të rrymës, kjo pas erërave të forta i ka dëmtuar shtyllat elektrike, këtë e ka konfrimuar edhe vetë kryetari i këtij fshati Selami Hoti.
“Po nga dje jemi pa rrymë. E kemi të vështirë të përballemi me këtë situatë. Jemi duke qëndruar me llamba me ndonjë qiri. Po ngrohemi me batanije. Jashtëzakonisht keq. Jemi si në kohën e Migjenit “, tha Hoti.
Hoti shtoi se kjo e bën edhe më të keqe pasi për pushime kanë ardh edhe gurbetqarët nga vendet e ndryshme.
“Për pushime kanë ardhur edhe gurbetqarët, të cilët në vend të pushojnë duhet të përballen me këtë stres. Stresohu në kufij, e stresohu në shtëpi”, shtoi Hoti.
Ai theksoi se rasti është raportuar tek KEDS-i.
“Prishja ka ndodhur në një pjesë mes Krushës dhe fshatit Piranë të quajtur “Llazat”, aty janë dëmtuar disa shtylla. Rasti është raportuar te KEDS-i. Jemi në pritje”, theksoi Hoti.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka thënë se ekipet e terrenit kanë dal për ta rregulluar dëmin, por se dëmi është goxha i madh, shkruan Klan Kosova.
“Ekipet janë duke punuar në terren. Do të rregullohet në kohën sa më të shpejtë. Por dëmi është goxha i madh. Diku tetë shtylla janë të dëmtuara si pasojë e erërave të forta”, tha Buzhala.