Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është duke e vonuar krijimin e institucioneve, për çka shtoi se nuk e kupton pse fituesi nuk e krijon qeverinë.
Ai tha se është mirë që institucionet të krijohen sa më shpejt, pasi sipas tij, vazhdimisht është menduar se po ndodhin shpenzime jo të arsyeshme, emërime jo të duhura dhe probleme të tjera. E për këto, Haradinaj shtoi se fituesi i zgjedhjeve nuk po lodhet.
I pyetur se nëse Lëvizja Vetëvendosje dështon të krijojë koalicionin qeverisës me LDK-në, a do të pranonte një ftesë për të qenë pjesë e qeverisë, Haradinaj tha se janë parti opozitare.
“Ne jemi parti opozitare, nuk kemi kauzë pjesëmarrjen në një qeverisje të z.Kurti, një qeverisje të lajmëruar prej tyre, e respektojmë vendimin e sovranit, kush ka fituar, presim prej atyre t’i marrin përgjegjësitë. Pra, mos ta vonojnë formimin e qeverisë. Nuk bie përgjegjësia e njëjtë mbi të dytin, mbi të tretin, pas zgjedhjeve, zakonisht në sistemin tonë parlamentar i pari e mbanë përgjegjësinë. Ai që i ka fituar zgjedhjet ai është përgjegjës me krijua institucionet”.
Gjatë ditës së djeshme përsëri janë takuar lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa por sërish nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje.
