Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka qenë i ashpër me kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Albin Kurti lidhur me qëndrimin e tij për Shengenin Ballkanik. Lidhur më këtë kanë reaguar menjëherë zyrtarë të Vetëvendosjes.
Për këtë çështje ka reaguar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla.
Sveçla thotë se, LVV-j nuk thotë që të mos takohet Rama me përfaqësuesit nga Serbia, por këtë ta bëjë psh. në Procesin e Berlinit, por jo në platformat shfajësuese për Serbinë e të interesit të saj tregtar e ekonomik shkruan InLajmi.
Postimi i plotë i tij:
“E kuptoj mungesën e kohës së kryeministrit të një vendi të goditur nga tërmeti për t’u njoftuar saktësisht mbi një konferencë rajonale të një organizate joqeveritare, ecurinë dhe protokollet e saj. Por ky mosinformim nuk i jep të drejtë atij që të fyejë e ofendojë, që të bëjë insinuata, të deformojë e të dezinformojë. Se si ka kaluar Gjuriq në këtë konferencë, Rama do të mund ta kuptonte drejtë e saktë meqenëse ka pasur përfaqësuesit e subjektit të tij aty.
Lëvizja Vetëvendosje tash ftohet në çdo konferencë ndërkombëtare ku flitet për Kosovën. Në anën tjetër, ne nuk themi që të mos takohet Rama me përfaqësuesit nga Serbia, por këtë ta bëjë psh. në Procesin e Berlinit, por jo në platformat shfajësuese për Serbinë e të interesit të saj tregtar e ekonomik.
Duket që nevoja e papërmbajtur për protagonizëm por edhe për devijim të vëmendjes së publikut, po e hedh Kryeministrin Rama nga isoja për një iniciativë të dëmshme por fatmirësisht të dështuar për kombin tonë, si ajo e shkëmbimit territorial, në iniciativë tjetër po ashtu të dëmshme për popullin si mini-shengeni apo mini-jugosllavia, si ka filluar të njihet gjithandej. E për të arsyetuar aventurën e parë dhe për të mbrojtur këtë aktualen, ai duhet të sulmojë e sulmojë, me apo pa argumente. Tepër ngushtë e ka kuptuar thënien se sulmi është mbrojtja më e mirë.
Është për të ardhur keq se si i njëjti kryeministër nuk përmend Vetëvendosjen kur ajo mobilizoi dhe organizoi ndihma për vendin që ky do të duhej të udhëhiqte, e mos të flasim për të falenderuar Lëvizjen apo mos e përmendur shtabin e saj të krizës të udhëhequr nga unë.
Por drejt, se ai e di që ne as nuk u mobilizuam për të apo falenderimet e tij, por për vëllezërit tanë që na janë gjetur e do t’iu gjindemi pranë sa herë të ketë nevojë”, shkroi Sveçla./InLajmi