Siç e dimë, Donald J.Trump është presidenti i 45 i Shteteve të Bashkuara të cilit iu votua shkarkimi nga Kongresi mbrëmë. Gjatë gati tri viteve në detyrë, ai ka bërë mbi 15 mijë gënjeshtra, sipas Daily Beast, dhe ka shkaktuar skandale të panumërta. Por, shkarkimi iu votua për shkak të shantazhimit të Ukrainës me ndihmë ushtarake nëse do të niste hetimin e z.Hunter Biden, të birit të Joe Bidenit. Kush është ky person që ka kthyer ShBA-të në një vend të polarizuar politikisht?
Ai është 73 vjeçar i lindur në Queens të New Yorkut. Pasuria e tij vlerësohet të jetë nga Forbes, 3,1 miliardë dollarë. Për pasurinë e tij është folur shumë, duke pasur borxhe të mëdha që arrinin deri në 2 miliardë por që me aftësinë e tij biznesore ia kishte dalë mbanë ta pakësonte. Një gazetar njëherë kishte thënë se pasuria e tij reale nuk është më e madhe se 150 milionë por kjo e kishte tërbuar Donald Trumpin që e kishte mohuar një gjë të tillë.
Sa i përket religjionit, ai e identifikon veten si protestant.
Donald Trumpi i ka pasur tri gra dhe së fundi [më 2005] është martuar me modelen sllovene Melania Knauss, 23 vjet më e re se ai. Me të dyja gratë e para ai ishte ndarë me shumë bujë, në vitet 1992 dhe 1997. Sa i përket fëmijëve, të dy djemtë e tij punojnë si zëvendës-presidentë në Trump Organization, dhe e menaxhojnë biznesin derisa i ati i tyre shërben si president. E bija e Trumpit, Ivanka, aktualisht shërben në administratën e tij pa pagesë.
Si fëmijë, Donaldi ishte shumë energjik. Prindërit e dërguan në Akademinë Ushtarake sa ky i kishte vetëm 13 vjet, duke shpresuar që disiplina e shkollës ushtarake do ta bënte më të mirë. Në akademi Donaldi shkëlqeu duke u bërë një atlet i jashtëzakonshëm dhe një lider si student.
Ai ka marrë diplomë edhe në ekonomi në vitin 1968.
Karriera e tij politike filloi me nominimin për Partinë Reformiste në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000 por ishte tërhequr. Kishte paralajmëruar se do të garonte edhe në vitin 2012 por nuk e kishte bërë. Dhe më në fund, në vitin 2016 e bëri, dhe ia doli të ishte fitues duke e shokuar opinionin publik në SHBA.
Ai e kishte shokuar opinionin edhe më herët, duke thënë se do të ndërtonte një mur të madh për të ndalur emigracionin ilegal, dhe për të ndalur bandat dhe dhunën. Ai kishte premtuar se do të rinegocionte marrëveshjet tregtare, do të shkurtonte taksat e të tjera.
Para debatit të dytë me Hillaryn, Washington Post ekishte publikuar një audio-inçizim ku ai dëgjohej duke thënë “Unë menjëherë tërhiqem nga e bukura – menjëherë filloi t’i puthë gratë e bukura. Është si magnet. Vetëm puth. As nuk pres madje. Dhe kur je një yll, ato të lejojnë që ta bësh. Mund të bësh gjithçka.” Por as kjo nuk kishte mjaftuar që ai të humbiste. Madje më tej ai kishte thënë se mund t’i kapte gratë për gjenitalet e tyre, vetëm sepse ishte një personalitet i njohur. Trumpi e kishte pranuar se diçka e tillë kishte ndodhur dhe kishte kërkuar falje – duke thënë që Bill Clintoni i kishte thënë gjëra edhe më të këqija atij”.
Që nga ajo kohë shumë gra të tjera të famshme filluan të flisnin publikisht për përvojat e tyre të këqija me Trumpin, duke pretenduar se ai i kishte fyer dhe ngacmuar seksualisht ato, shkruan Periskopi.
Disa nga faktet që duhen përmendur për të janë këto:
Trumpi ka bankrotuar katër herë. Ai nuk pi pije alkolike kurrë. Trumpi ishte një figurë shumë e suksesshme televizive, veçanërisht me ‘show’-n e tij, “The Apprentice”. Donald Trumpi e ka një Yll në “Walk of Fame”-in e Hollywoodit. Ai ka qenë pronar i një klubi amerikan të futbollit. Trumpi është fanatik i medieve sociale. Dhe ai kishte 14 mijë apartamente kur ishte 27 vjeç. Ndër shumë të tjera.




















