Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë deklaruar se marrëveshja ndërmjet dy partive do të arrihet së shpejti.
Pas regjistrimit në Kuvend, Haki Abazi i Vetëvendosjes, ka thënë marrëveshja ndërmjet dy partive duhet të përfundojë deri në fund të javës.
Kurse, Avdullah Hoti nga LDK-ja, ka thënë se marrëveshja me Vetëvendosjen nuk ka arsye të dështojë.
Konstituimin e përbërjes së re të institucioneve e ka kërkuar edhe shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova.
“Dua të theksoj se është shumë i rëndësishëm formimi i Qeverisë sa më shpejt që është e mundur, sepse qytetarët e Kosovës duan të shohin një qeveri funksionale. Edhe BE-ja është e interesuar ta shohë formimin e shpejtë të institucioneve, sepse kemi nevojë ta kemi një partner për procesin e reformave dhe mos të harrojmë se edhe është koha që buxheti të miratohet, por edhe shumë projekte të tjera që janë në proces e sipër”, ka thënë Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, për herë të fundit janë takuar më 2 dhjetor, shkruan Koha.net.
Në këtë takim, ata nuk kanë arritur të dakordohen për ndarjen e ministrive, për të cilat deri tani palët janë pajtuar vetëm që të jenë 12 gjithsej.