Rrugët e Prishtinës janë të stërmbushura me qenë të braktisur, kudo që ecë has në një grumbull të qenve endacak, e këta të fundit krijojnë rrezikshmëri ndaj qytetarëve.Asgjë nuk dihet për fatin e qenve të cilët bredhin rrugëve 7/24, ankesat e njerëzve janë të vazhdueshme por nuk është se ky fenomen do të ndalet.Nuk mund të mbytet një jetë për të shpëtuar një jetë, por duhet të trajtohet ky problem dhe të zgjidhet një here e përgjithmonë nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Qentë e braktisur nëpër rrugë rrezikojnë jetën e njeriut, banorët e disa lagjeve në Prishtinë kanë shprehur shqetësime të mëdha. Ata për InLajmin thonë se para se të ndodh më e keqja institucionet e Kosovës duhet të ndërhyjnë në zgjidhjen e këtij problemi.
Banorët e lagjeve të Prishtinës po dalin të jenë të rrezikuar nga sulmet e qenve të braktisur dhe sipas prononcimeve të tyre deri më tani nuk është ndërmarr asgjë nga institucionet për mbrojtjen e njerëzve si dhe mbrojtjen, strehimin dhe trajtimin e qenve.
Arben Salihu, banor i lagjes Emshir për Inlajmin thotë se banorët janë në hall me qentë.
“Si lagje jemi në hall të madh, vazhdimisht kemi frikë nga qentë, kado që shkojmë na vijnë përmas edhe fëmijët tanë janë të rrezikuar nuk di çka po bojnë institucionet tona, nashta nuk po presin me ndodh e keqja pastaj me u interesu kishe pe ndreqim problemin”, tha Salihu.
Se banorët janë të rrezikuar e thotë edhe Isak Pacolli nga lagjja Velania, i cili thotë se kjo lagje qysh nga pas lufta është njëra ndër lagjet më të rrezikuara nga qentë endacak. Lagjja ka një copë gjelbërimi dhe kjo është shtëpia e madhe e qenve të braktisur.
“Unë prej paslufte jam ardh nga Gjermania edhe kjo lagje prej se e maj men është e rrezikume prej qenve, shumë herë kemi ba ankesa në Komunë po prapë s’kemi marrë naj përgjigje. Nashta qe e kem malin afër, kjo lagje o si shpija ma e madhe e qenve krejt Kosovën”, theksoi Pacolli.
“Shumë folët për kitë temë amo so që po shkon veshin e duhur, lagjja “Kodra e Timave” ndoshta e dinë shumica është njëra nder lagjet me më së shumti qenë endacak siç po thoni ju, por unë fajin s’mundem më ja lon qeneve po institucioneve, krijesat e zotit nuk mund t’i mbysim por shteti duhet mu kujdes me i strehu në mënyrë që as ne mos të jemi të rrezikuar po as qentë mostë pësojnë në më të keqen, ju bojë apel shtetit me u marrë seriozisht me kitë dukuri që po ndodh”, thotë banori me mbiemrin Kalaja, që jeton në lagjen Kodra e Trimave.
Ndërsa, Emine Pajaziti nga Lagjja Mati 1 në lidhje me rrezikimin e jetës së njeriut nga qentë endacak thotë se në moshën 68 vjeçare nuk mundem me dal nga banesa pa shoqërues sepse ndihet e rrezikuar sepse kjo lagje është shumë e rrezikshme dhe se duhet të merret Komuna me këtë problem.
“ Jam 68 vjeçare, jam banore e kësaj lagje afro 3 vite, jo vetëm unë por të gjithë banorët ankohen nga rreziku i qenve të rrugës, nuk di Komuna a është duke punuar në lidhje me këtë fenomen. Më të rrezikuarit janë fëmijët të cilët shkojnë në shkolla dhe i bie të ecin deri në shkollë këmbë, po valla edhe për pleqtë është shumë rrezik, unë për veti nuk mundem me dal nga banesa pa një përcjellës e sidomos pas orës 20:00 nuk dal fare, kjo lagje është e rrezikime sepse ka shume njerëz që gjuan ushqime të ndryshme edhe mendoj se shkaku i ushqimit vijnë. Prapë mendoj se fajin kryesor e ka Komuna, kjo duhet të marr fund një herë e mirë mos mu rreziku jeta e njeriut nga qentë e rrugëve. Ju bëjë thirrje Komunës që të e vizitojnë lagjen Mati 1 e të shohin gjendjen nga rreziku i qeneve” thotë ajo.
Ndërsa, Komuna e Prishtinës në lidhje me shqetësimin e qytetarëve për rrezikimin e jetës, shkas i qenve endacak për InLajmin tha se trajtimi i tyre është bërë përmes kastrimit, sterilizimit, vaksinimit dhe lirimit.
Sipas zyrtarëve nga Komuna e Prishtinës, disa nga hapësirat publike ku ekspozohen qentë endacak nuk janë për panik pasin që pjesa e madhe e qenve janë trajtuar në KSVL trajtim i cili parandalon tërbimin, gjë që është shumë e nevojshme në stinën e dimrit.
“Komuna e Prishtinës përmes operatorit ekonomik të cilin e ka të kontraktuar për trajtimin e qenve endacak, ka trajtuar qentë endacak të cilët qëndrojnë në hapësirat publike me trajtimin KSVL (Kastrim, Sterlizim, Vaksinim dhe Lirim);
Është e vështirë të sistemohen të gjithë, por do të mundohemi që të gjithë qentë të cilët gjatë sezonës së dimrit tërbohen nga mungesa e ushqimit t’i sistemojmë. Shumica e qenve në hapësirat publike janë të trajtuar me KSVL, trajtim ky i cili e ndalon tërbimin, thotë Miranda Mollafazliu, zëdhënëse e Komunës së Prishtinës.
Për të mos vrarë një jetë, për shpëtimin e një jete tjetër, duhet të ndërhyhet nga personat kompetent e një qendër të strehimit dhe trajtimit të qenve të braktisur. Gazeta InLajmi ka kontaktuar Florim Feratin nga “Qendra e Strehimit dhe Trajtimi i qenve endacak”, dhe kemi marrë informata rreth asaj se çka bëhet me qentë e braktisur. Kjo qendër përveç që strehon qenët ajo mundohet që të gjej edhe adaptues.
Florim Ferati nga Qendra e Strehimit dhe Trajtimi i qenve të braktisur për InLajmin ka thënë se është një numër shume i madh i qenve që shëtisin rrugëve të Prishtinës por mungon një ligj i cili specifikon zgjidhjen e problemit.
Ai thotë se kjo qendër është angazhuar maksimalisht në strehimin dhe trajtimin e qenve të braktisur por kërkon ndihmën e shtetit pasi që deri më tani mundohet me financa vetanake të ia dalë rreth shpenzimeve.
“Ne kem punuar me Komunën e Prishtinës që nga viti 2010, është një numër shumë i madh i qenve endacak në Komunën e Prishtinës, mirëpo nuk ka ligj të mirëfilltë që specifikon zgjidhje të tjera, atëherë kjo iniciativë nga ana e Qëndresë së Strehimit do të vazhdoj edhe më tutje.
Ai shtoi se “Ne jemi kompani private dhe nuk kemi buxhet prej askujt, ato të holla që fitojmë, i harxhojmë për nevojat e kafshëve. Jemi të pajisur me automjete special, staf të bollshëm si dhe çdo vit, funksionojmë në kuadër të organizatës botërore për mbrojtjen e kafshëve, prej vitit 2008 jemi anëtar të Doktra, organizata më e madhe në Angli, po ashtu jemi edhe anëtar të shoqatës për mbrojtjen e kafshëve në Angli”
Ferati ka edhe një apel për qytetarës “Tek web faqja jonë janë numrat kontaktues, të gjitha ata që kanë mundësi me strehu apo ata të cilët dëshirojnë të strehojnë qenin e tyre mund të na kontaktojnë, merremi me strehimin dhe trajtimin e qenve. Për qytetarët jemi në shërbim 24/7.
Avdyl Pacolli, drejtori i Qendrës së Urgjencës së Mjekësisë Familjare tha për Gazetën InLajmi, se raste të paraqitura të sulmit nga qentë endacak ka pasur pak, të cilëve u është dhënë ndihma mjekësore e menjëhershme.
“Janë dy apo 3 raste të paraqitura në QUMF për sulmet nga qentë endacak, raste këto që ne u kemi dhënë ndihmë mjekësore. Këto raste kanë qenë me gërfishje jo kafshime të thella nga qentë endacak”, theksoi Pacolli.
Sulmet nga qentë raportohet edhe në Policinë e Kosovës. Këta të fundit përveç që mbrojnë qytetarin bashkëpunojnë edhe me organizata për mbrojtjen e kafshëve.
InLajmi ka kontaktuar me Policinë e Kosovës përmes emalit zyrtar në lidhje me rrezikshmërinë e banorëve nga sulmet e qenve. Sipas policisë së Kosovës gjatë vitit 2018, 1 rast është iniciuar dhe 4 të tjerë janë preformuar. Ndryshe nga ky vit, në 11 mujorshin e këtij viti është dyfishuar numri i të iniciuarve dhe preformuarve.
“Në rajonin e territorit të Prishtinës lidhur me rastet që kanë të bëjnë me ‘’ Sulmet nga qenët endacak ‘’ , kemi këto të dhëna të konfirmuara :
Për periudhën kohore : 01. 01. 2018 – 12. 31. 2018 ,
Raste të Inicuara = 1 ( një ), si dhe
Preforma = 4 ( katër ) preforma të inicuara .
Për periudhën kohore : 01. 01. 2019 – 15. 11. 2019 ,
Raste të Inicuara = 2 ( dy-ë ), si dhe
Preforma = 5 ( pesë ) preforma të inicuara, thuhet në raportin policorë, DRP Prishtinë.
Rasti i fundit që ndodhi në Prishtinë ishte ai i ortopedisë nga SHSKUK-ja, e cila përmes një postimi në rrjetin e saj Facebook ka thënë se sulmi i qeneve e la me trauma po ashtu akuzoj edhe Komunën e cila sipas saj nuk është se ka ndërmarr diçka në lidhje me rastin.
Reagimi i ortopedisë, Vjollca Islami për këtë çështje, (pa ndërhyrje):
“Faleminderit te gjithëve për përkrahjen dhe forcën qe ma dhatë duke me shkruar dhe kontaktuar me telefon për ketë traume qe e përjetova ne vendin e punës! E traumatizuar dhashë interviste për media, me qëllimin e vetëm që të sensibilizoj opinionin dhe t’i zgjoj nga gjumi përgjegjësit e komunës qe kanë detyrë t’i mbrojnë qytetaret e tyre. Qe një kohë të gjatë po sulmohen personeli nga qentë endacak në QKUK. Dje u sulmova unë, nesër do te sulmohen edhe pacientet prej të cilëve mund te ketë edhe fëmijë. Turp për Komunën e Prishtinës që edhe përkundër ankesave te qytetareve nuk ndërmerr asgjë. Turp edhe për menaxhmentin e SHSKUK-se që edhe pse u informuan për sulmin që e përjetova në vendin e punës, nuk e panë të arsyeshëm të më kontaktojnë dhe te interesohen për gjendjen time shëndetësore. Dona Gashi / InLajmi
Faleminderit te gjitheve per perkrahjen dhe forcen qe ma dhate duke me shkruar dhe kontaktuar me telefon per kete traume qe e perjetova ne vendin e punes!E traumatizuar dhash interviste per media,me qellimin e vetem qe te sensibilizoj opinionin dhe ti zgjoj nga gjumi pergjegjesit e komunes qe kane detyre ti mbrojne qytetaret e tyre.Qe nje kohe te gjate po sulmohen personeli nga qente endacak ne QKUK. Dje u sulmova une, neser do te sulmohen edhe pacientet prej te cileve mund te kete edhe femije.Turp per Komunen e Prishtines qe edhe perkunder ankesave te qytetareve nuk ndermerr asgje.Turp edhe per menaxhmentin e SHSKUK-se qe edhe pse u informuan per sulmin qe e perjetova ne vendin e punes,nuk e pane te arsyeshem te me kontatktojne dhe te interesohen per gjendjen time shendetesore.
Posted by Vjollca Islami Bince on Friday, 22 November 2019