Pas përfundimit të rinumërimit të 1407 vendvotimeve, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa deri tani është dorëzuar vetëm një ankesë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kjo është bërë e ditur nga kryesuesi i sekretariatit të PZAP-së, Mul Desku.
Desku tha se PZAP-ja ka pranuar një ankesë nga Vetëvendosje dhe ka të bëjë me administrimin në QNR.
Ai shtoi se ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje është duke u shqyrtuar dhe pritet që së shpejti të merret vendimi.
“Deri në këto momente kemi pranuar vetëm një ankesë lidhur me administrimin në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Kjo ankesë është bërë nga Lëvizja Vetëvendosje. Vendimi merret së shpejti dhe me të do të njoftohen pala dhe KQZ-ja. Ankesa tjera nuk ka“, ka thënë Desku, transmeton lajmi.net.
Ndërkohë, Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se rezultatet e rinumërimit të votave të diasporës pritet të publikohen gjatë ditës, pas përfundimit të afatit kohor të përcaktuar për ankesa.