Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj dhe 42 zyrtarë të kabinetit të tij, kanë harxhuar gjysmë milioni euro, vetëm për dreka dhe darka zyrtare.
Ramush Haradinaj mund të ketë ngrënë ndonjë ushqim të lirë, por duket se për dy vjet në pushtet drekat dhe darkat luksoze i ka pasur më në qejf.
Ai së bashku me stafin e tij kanë harxhuar hiç më pak së gjysmë milioni euro, vetëm për dreka. Sakësisht 506 mijë e 779.22 euro, shkruan Insajderi.
Kjo shumë është shpenzuar për afro dy vjet: nga shtatori i 2017-ës deri në gusht të 2019-ës.
Sipas dokumentit në të cilin Insajderit i ka lejuar qasje, Zyra e Kryeminstrit del se Haradinaj ka shpenzuar goxha nga taksat edhe për bileta.
Për udhëtime ai ka shpenzuar 25 mijë e 197.56 euro, ndërsa shumë më pak se kaq i janë dashur për akomodim – vetëm 567 euro.
Në krejt udhëtimet që ai ka bërë ka marrë edhe 4 mijë e 388.43 euro mëditje, shkruan Insajderi.
Haradinaj s’e ka lënë pas dore as Kredit Kartelën – për dy vjet ka shpenzuar 14 mijë e 747 euro.
Për telefon dhe shpenzime të tjera ai ka harxhuar rreth 7 mijë euro.
Haradinaj ishte bërë kryeministër i vendit më 9 shtator 2017 dhe që nga ajo kohë deri më 19 korrik edhe kur ka dhënë dorëheqje ai dhe stafi i tij në total kanë harxhuar 892 mijë e 548 euro nga buxheti i shtetit për mëditje, akomodim, shpenzime të tjera, bileta, kredit kartela dhe shpenzime telefonike.