Kompania gjermane ICME, është duke bërë studimin e fizibilitetit për Spitalin e Prishtinës dhe pastaj do të hartoj edhe planin detal të këtij spitali, ndërkohë që komuna akoma nuk ka një lokacion për ndërtimin e tij.
Për Spitalin e Prishtinës janë ndarë 7 milionë euro dhe nga ana e komunës ka mbetur vetëm të caktohet lokacioni për ndërtim.
Fiknete Bejta, asambliste në Kuvendnin e Komunë së Prishtinës nga radhët e AAK-së ka propozuar që spitali të ndërtohet në fshatin Llukar, në hapësirat e Kazermës së dikurshme të TMK-së.
“Në cilësinë e Këshilltares Komunale kërkoj nga Komuna që ky spital të ndërtohet në hapësirën e Kazermës së dikurshme të TMK-së në Llukar. Sipas informatave të siguruara në atë lokacion ka hapësirë të mjaftueshme për ndërtimin e një Institucioni të tillë dhe ndikon pozitivisht edhe në aspektin social dhe ekonomik në atë pjesë të qytetit”, ka thënë Bejta, transmeton lajmi.net.
Ajo thotë se, ndërtimi i Spitalit të qytetit është premtim i kamotshëm, por se ndërtimi i tij në këtë pjesë të Prishtinës do të ishte lajm i mirë pasi që, sipas saj, është hera e parë që ndodhë ndonjë investim i madh në këtë pjesë.