Deri në fund të muajit tetor janë kryer 80% e punimeve tokësore si hapja e trasesë dhe punimi i mbushjes në autostradën Prishtinë-Gjilan, Dheu i Bardhë të njohur ndryshe si Autostrada Agim Ramadani.
Kjo gjë u bë e ditur nga Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Në një përgjigj, Lekaj deklaroi se janë ndërtuar 28 struktura nga betoni (tri mbikalime për automjete, pesë nënkalime për automjete, 18 lëshesa pllakore, dy kolektorë dhe mbi 50% e mureve mbrojtëse me gabione.
Por pavarësisht këtyre punimeve që janë bërë deri më tani përfundimi i tërë kësaj pune varet nga punimet shtesë të cilat paraqiten deri në fund të projektit të cilat mund ta zgjatin afatin e parashikuar të realizimit të projektit.
Lidhur me realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për lidhjen në mes kryeqytetit, Gjilanit dhe kufirit me Serbinë ende nuk është bërë shpronësimi i të gjithë banorëve.
“Procesi i shpronësimit ende nuk përfunduar, disa zona kadastrale që prek traseja e Autoudhës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë kanë vendime përfundimtare (një pjesë e banorëve të cilët kanë vendime përfundimtare ende nuk i është dhënë kompenzimi i mjeteve financiare) dhe disa zona të tjera kadastrale janë në pritje për tu nënshkruar vendimi përfundimtar në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor”, ka thënë Lekaj.
Tutje i njëjti bëri të ditur se sa i përket kompensimit të mjeteve financiare për shpronësim është kompetente Ministria e Ambientit dhe Planifikimit hapësinor-Departamenti i Shpronësimit.
“Vlera totale e gjithë projektit është 88,618,511.95Euro”,deklaroi Lekaj, transmeton Indeksonline.
Ceremonia e inaugurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, Dheu i Bardhë u zhvillua me 15 prill, ndërsa kjo autostradë parashihet të jetë e gjatë 47.1 kilometra dhe me katër korsi, duke lidhur kështu korridorin 6.7 dhe 10.