Sot u raportua se është gjendur e vdekur regjisorja Arzana Kraja, vajza e akademikut Mehmet Kraja.
Nga Policia e Kosovës, konfirmohet vdekja e një vajze në lagjen “Kalabria” në kryeqytet, por burime të Koha.net tregojnë se bëhet fjalë për regjisoren Kraja.
Lajmi po ashtu është konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të cilët e kanë cilësuar si vdekje të dyshimtë.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, në një prononcim për Gazetën Insajderi, ka thënë se është gjetur një trup i një gruaje pa shenja jete dhe Prokuroria e ka cilësuar si vdekje të dyshimtë.
“Është gjetur një trup pa shenja jete dhe Prokuroria e ka cilësuar si vdekje të dyshimtë. Trupi i pajetë do të dërgohet për obduksion e pastaj i presim rezultatet e autopsisë dhe shohim shkaqet e vdekjes”, ka thënë Ulaj.
Pas këtij lajmi ka reaguar edhe Qendra Kinematografike e Kosovës, të cilët nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se janë të shokuar nga lajmi për vdekjen e regjisores Kraja.
“Jemi të shokuar nga lajmi për vdekjen e regjisores Arzana Kraja! Angazhimi i saj në fushën e kinematografisë ishte i jashtëzakonshëm. Ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë bashkëpunëtorëve!”, thuhet në shkrimin e QKK-së.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se kanë pranuar një informatë për një trup të pa jetë në lagjen “Kalabria” në Prishtinë rreth orës 09:08.
“Njësit policore kanë dal menjëherë në vendin e ngjarjes, përfshirë edhe ekipin mjekësor të emergjencës të cilët kanë konstatuar vdekjen e personit të gjinisë femërore”, thuhet në përgjigjen e PK-së, transmeton Insajderi.
Kraja, ishte regjisore e filmit “Fusha e mëllenjave”, që shënoi edhe hapjen e edicionit të 11 të PriFest.