Politologu Bardhyl Mahmuti ka vijuar serinë e shkrimeve lidhur me manipulimet që pretendon ai se i janë bërë ekspertizës zvicerane për rastin “Astrit Dehari”.
Në shkrimin e tij më të fundit ai ngrit pyetjet “Kush e fshehu jastëkun me jargë, që ishte në dhomën e krimit?” duke thënë se një element shumë i rëndësishëm i skenës së krimit nuk i është dërguar Njësisë Romande të Mjekësisë Forenzike të Qendrës Universitare Ramande të mjekësisë ligjore në Lozanë të Zvicrës dhe ai element është jastëku me mbetje jargësh që u gjet në dysheme në dhomën e krimit.
“Në faqen 16 të raportit të 14 qershorit 2019 përshkruhet lista e gjërave që i janë vënë në dispozicion ekipit mjeko-ligjor të Zvicrës. Në këtë listë mungon jastëku me jargë, që është gjetur në tokë, në një dhomë ku ka pasur një të vdekur nga zënia e frymës!!! Nuk ka asnjë dyshim, se ky element do të shërbente për shtrimin e hipotezës edhe për një mekanizëm të tretë të përdorur në vrasjen me zënie fryme të Astrit Deharit. Sidoqoftë, ky jastëk mund të mbajë edhe gjurmët e ADN-së, të vlefshme për të ndriçuar krimin”, shkruan Mahmuti.
Publicisti në vijim gjithashtu ngrit dyshimin se ky jastëk është shfrytëzuar si mjet për të fshehur mekanizmat e tjerë të kësaj vrasjeje kaq të shëmtuar dhe çnjerëzore.Shkrimi i plotë i Bardhyl Mahmutit:Me pretendimin se është mbështetur në rezultatet e autopsisë së ekipit mjeko-ligjor të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe në rezultatet e hulumtimeve të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, e cilësoi vdekjen e Astrit Deharit si “pasojë të asfiksisë mekanike nga dëmtimet e vetë shkaktuara”.Ky konstatim u hodh poshtë nga ekspertët zviceranë, të cilët erdhën në përfundimin, se Astrit Dehari jo vetëm që nuk ka bërë vetëvrasje, por objektivisht as që e ka pasur të mundur t’ia zinte frymën vetes me një shishe plastike të rrumbullakët dhe pa kënde e me skaje të lëmuara, baza e së cilës kishte diametër 6 cm.Në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me çështje të vullnetit, nëse Astrit Dehari dëshironte apo nuk dëshironte të vendoste një shishe të tillë në rrugët e frymëmarrjes dhe të mbante të bllokuara këto rrugë. Këtu kemi të bëjmë me pamundësi objektive:
Në aspektin fiziologjik, bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes do të bënte ndërprerjen e furnizimit të organizmit me oksigjen dhe kjo do të shkaktonte humbje të vetëdijes dhe të aftësisë së muskujve të duarve për ta mbajtur shishen në rrugët e frymëmarrjes. Këtë çështje të shkencës së mjekësisë, që lidhet me vetitë dhe funksionimin e organeve të qenieve të gjalla, e di çdo student i ciklit të parë të studimeve të mjekësisë, që ka dhënë provimin e fiziologjisë. Kam bindjen e plotë, se këtë fakt të shkencës së fiziologjisë e kanë ditur edhe anëtarët e ekipit mjeko-ligjor, që kanë bërë raportin e autopsisë së Astrit Deharit. Është çështje tjetër pse, në rastin konkret, ky fakt është lënë në heshtje dhe nuk është thënë në mënyrë të prerë se Astrit Dehari nuk ka pasur asnjë mundësi t’i zinte frymën vetes me atë shishe plastike.Përveç këtij fakti, ekspertiza zvicerane nxjerr në shesh lëshimet e mëdha që janë bërë gjatë autopsisë së Astrit Deharit. Aspekte të ndryshme të dobësive dhe shtrembërimeve që përmban raporti i autopsisë i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës janë përmendur në shkrimet e mia paraprake për këtë temë. Në shkrimin e sotëm po kufizohem vetëm në atë që ka të bëjë me lëndimet në gojë, për të cilat pretendohet të jenë shkaktuar nga shishja plastike. Kur bëhet përshkrimi i dëmtimeve të brendshme që i ishin shkaktuar Astrit Deharit, në pikën 6 të raportit të lartpërmendur të autopsisë thuhet: “Në rrënjën e gjuhës, paralelisht në të dy anët e saj, rreth 6.5cm nga maja e gjuhës ndodhen shqyerje paralele identike, me buzë të çrregullta të përmasave: në anën e djathte 15x10mm me thellësi 4mm, kurse në anën e majtë: 15x8mm me thellësi 6mm. Këto dy dëmtime paralele më me besueshmëri janë të shkaktuara nga veprimi mekanik i një mjeti me konsistence solide (të fortë), i cili duke mbyllur zgavrën e gojës në thellësi, ka hasur në rezistencë në qiellzën e fortë, ndërsa në vendin me rezistence më të vogël, që është gjuha, ka shkaktuar shqyerje paralele në të dy anët”.Konstatimet e tilla hidhen poshtë nga ekipi mjeko-ligjor zviceran. Në ekspertizën zvicerane saktësohet se “shqyerjet e rrënjës së gjuhës dhe i skajit të djathtë të gjuhës janë pasojë e veprimeve të shkaktuara nga një send i mprehtë ose një send që shpon dhe që pret”. (Të mos harrojmë se shishja plastike ishte me skaje të lëmuara, e rrumbullakët dhe pa kënde). “Mungesa e depërtimeve hemorragjike në periferi dëshmon për lëndime të shkaktuara në periudhën pas vdekjes. Nga vendi ku ndodhen dhe nga simetria e plagëve, sipas të gjitha gjasave ato janë shkaktuar nga nxjerrja e gjuhës gjatë autopsisë. Për ilustrim, i njëjti lloj lëndimi shihet në një pjesë të autopsisë së gjuhës, të publikuar në literaturë (Kurihara dhe autorë të tjerë, 1992). Disa çarje që lidhen me nxjerrën e gjuhës dhe të faringut në lartësinë e qiellzës janë të një aspekti të ngjashëm dhe shihen në videot dhe fotografitë e autopsisë. Hipoteza e propozuar nga mjekët ligjorë, se çarjet janë shkaktuar nga presioni mbi gjuhë, pas mbylljes së tërësishme të pjesës së thellë të gojës (qiellzës së fortë) me një send të fortë, nuk na duket e mundur, për arsye të mungesës së shenjave të vitalitetit përreth lëndimeve, si dhe për shkak të morfologjisë së këtyre lëndimeve. Përndryshe, në literaturën mjeko-ligjore nuk kemi gjetur gjurmë të një mekanizmi të tillë”.
Përveç pasaktësive të lartpërmendura të ekipit mjeko-ligjor të Kosovës, ekspertiza zvicerane thekson edhe lëndimet në gjuhë dhe në qiellzë, të cilat nuk janë përmendur fare nga ekipi mjeko-ligjor i Kosovës. Bëhet fjalë për “një çarje sipërfaqësore në skajit anësor të pjesës së djathtë të gjuhës, që ndodhet përpara shqyerjes së përshkruar në raportin e autopsisë” dhe “njolla të kuqe në vjollcë në mukozën e rafemedianës (term mjekësor, që përkufizon vijën që ndan mes për mes qiellzën e butë) të qiellzës së butë dhe të pjesës së pasme paramediane të djathtë të qiellzës së butë, që paraqet zona të depërtimeve hemorragjike”, të cilat shihen edhe nga ekzaminimi i jashtëm, por që nuk i paskan parë “ekspertët” e Kosovës!Sipas ekspertizës zvicerane, “këto lëndime janë rezultat i goditjeve me sende të forta, jo të mprehta, dhe mund të kenë ardhur nga goditja e pjesës së poshtme (baza e shishes) të shishes plastike në mukozë”.
Përveç dallimeve rreth plagëve të shkaktuara në gojë, ekipi mjeko-ligjor zviceran nuk pajtohet me konstatimet e autopsisë rreth sendeve që janë përdorur për t’ia zënë frymën Astrit Deharit. Sipas autopsisë, “vdekja e Astrit Deharit ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike nga bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga një mjet me konsistencë solide (i fortë)”.Në konkluzionet e ekspertizës zvicerane theksohet se “vdekja e z. Astrit Dehari është rezultat i asfiksisë dhe më e besueshme është që kjo të jetë bërë nëpërmjet zënies së frymës të llojit ‘smothering’”. Ndërkaq, sa i përket mënyrës se si është realizuar zënia e frymës në rastin konkret, ata kanë divergjenca më të mëdha me ekipin mjeko-ligjor të Kosovës.Për ekipin mjeko-ligjor të Kosovës, “bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes është bërë nga një mjet me konsistencë solide (i fortë)”, pra nga shishja plastike. Rreth kësaj çështjeje, ekspertiza zvicerane vjen te një konkluzion tjetër: “Sendi i gjetur në gojë (shishja e mjaltit), mund të jetë përdorur për të mbyllur rrugët e frymëmarrjes së z. Astrit Deharit”. Por në analizën e tyre ata shpjegojnë në mënyrë bindëse se shishja plastike nuk ka mundur të mbyllte tërësisht rrugët e frymëmarrjes.
“Në rastin e z. Dehari, shishja është gjetur e futur në gojë nga baza e saj, diametri i së cilës është 6 cm. Matjet anatomike të laringut të kryera nga grup autorësh (Eckel He, Sittel C., Zorowka P. dhe Jerke A. dhe të prezantuara në veprën “Dimensions of the larynge alframe work in adults”, 1994) mundësojnë të vlerësohet se diametri normal i vrimës së laringut te njeriu është mesatarisht 3,82 cm (minimum 27 mm dhe maksimumi 63 mm). Në propozimin që kjo matje bazohet në distancën ndërmjet strukturave kërcore, që kufizojnë vrimën e laringun (briri i sipërm i kërcit të tiroides), të dhënat janë mbivlerësuar, sepse ato nuk përfshinë indet e buta, të cilat mbulojnë strukturat kërcore. Pra, baza e shishes plastike do të duhej të gjendej mbi epiglotë. Një argument tjetër që shkon në drejtim të këtij konstatimi, është prania e madhe e materieve ushqimore në bronke. Në të vërtetë, që të ndodhë një thithje e tillë e materialeve ushqimore nga bronket, është e nevojshme që hapësira ndërmjet mureve të laringut të jetë e lirë”. Rrjedhimisht, ky është një fakt objektiv, që dëshmon se shishja plastike nuk ka mundur t’i zinte frymën tërësisht. Përveç këtij fakti, janë edhe deklaratat e përmendura në shkrimin paraprak, që dëshmojnë se Astrit Dehari kishte pasur puls dhe kishte marrë frymë, në kohën kur është zbuluar me shishen plastike në gojë. Fakte të tjera, në të cilat mbështetet ekipi mjeko-ligjor zviceran për të argumentuar pohimin se, përveç shishes plastike, në zënien e frymës Astrit Deharit kanë mundur të përdoren edhe mekanizma të tjerë janë lëndimet në pjesën e sipërme të ballit, në pjesën e poshtme të anës së djathtë të fytyrës, në pjesën e djathtë anësore të qafës, në parakrahun e djathtë dhe në shuplakën e dorës së djathtë, të cilat nuk janë lëndime sipërfaqësore, por pllaka pergamene, që shprehin lëndime të brendshme të indeve ose të organeve nga goditja me sende të forta.
Këto lëndime vërtet nuk mund të shpjegohen nëpërmjet një veprimi vetëvrasës me sende të mprehta dhe me zënie fryme. Hipoteza e lëndimeve të shkaktuara nga bartja e trupit, nga tërësia e veprimeve për ta ringjallur dhe nga shtrëngimet e rastësishme nuk e shpjegojnë tërësinë e këtyre konstatimeve dhe nuk duket plotësisht bindëse.
Nga ana tjetër, këto ekimoza (mavijosje) vërehen në vendet karakteristike për lëndimet, që janë shkaktuar gjatë kapjes me duar në qafë, të llojit “çelësi i krahut”, ose formave të tjera të dhunës në qafë. Për shkak të këtij fakti, një mekanizëm i tillë i lëndimit nuk mund të përjashtohet dhe duhet të përmendet”.
Nga tërësia e lëndimeve të lartpërmendura, dhuna e shkaktuar në qafë është shenjë e pakontestueshme e përdorimit edhe të një mekanizmi tjetër për të penguar rrugët e frymëmarrjes së Astrit Deharit.Ekipi mjeko-ligjor zviceran erdhe te këto konkluzione në bazë të materialeve që u janë dërguar nga ata që kanë dosjen e plotë të rastit “Astrit Dehari”. Megjithatë, një element shumë i rëndësishëm i skenës së krimit nuk i është dërguar Njësisë Romande të Mjekësisë Forenzike të Qendrës Universitare Ramande të mjekësisë ligjore në Lozanë të Zvicrës: JASTËKU ME MBETJE JARGËSH QË U GJET NË DYSHEME, NË DHOMËN E KRIMIT!
Në faqen 16 të raportit të 14 qershorit 2019 përshkruhet lista e gjërave që i janë vënë në dispozicion ekipit mjeko-ligjor të Zvicrës. Në këtë listë mungon JASTËKU ME JARGË, që është gjetur në tokë, në një dhomë ku ka pasur një të vdekur nga zënia e frymës!!! Nuk ka asnjë dyshim, se ky element do të shërbente për shtrimin e hipotezës edhe për një mekanizëm të tretë të përdorur në vrasjen me zënie fryme të Astrit Deharit. Sidoqoftë, ky jastëk mund të mbajë edhe gjurmët e ADN-së, të vlefshme për të ndriçuar krimin.
Duke parë se si dikush është përpjekur të fshehë gjurmët e krimit, ajo që shtrohet publikisht në këtë kontekst ka të bëjë me dilemën që kam, nëse ka mbetur i padëmtuar ky jastëk (në kuptimin e gjurmëve gjenetike) dhe nëse ende është në materialet e dosjes së Astrit Deharit, transmeton gazeta Express.
Nëse vërtet jastëku ka mbijetuar në përpjekjen për fshehjen e krimit dhe nëse nga ai nuk janë zhdukur gjurmët gjenetike, kam bindjen e plotë se analiza e hollësishme e kësaj prove materiale do të ndriçonte, ndër të tjera, nëse vërtet shishja plastike në gojën e Astritit Deharit të shtirë, me krahë të hapur, siç e përshkruajnë dëshmitarët, ka qenë njëri nga mekanizmat e bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes, apo është shfrytëzuar si mjet për të fshehur mekanizmat e tjerë të kësaj vrasjeje kaq të shëmtuar dhe çnjerëzore.Mendoj se me serinë e shkrimeve lidhur me manipulimet që i bënë ekspertizës zvicerane për rastin “Astrit Dehari” kam kryer obligimin tim si qytetar i Kosovës dhe si politolog. Ekspertizës zvicerane do t’i referohem edhe në shkrimet që do të bëj në të ardhmen, deri në ngadhënjimin e plotë të drejtësisë për Astritin.