Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë fjalimit në Festivalin Multikulturor të Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve, ka thënë se synimi i tij është që të çrrënjoset varfëria në Kosovë pasi sipas tij varfëria është armiku kryesor i cili nuk njeh as racë e as etni.
Ai në këtë fjalim ka thënë se shumë liderë kanë folur këtu në të kaluarën të cilët kanë dhënë premtime për të ardhmën duke ngritur shpresë e që gjithçka është harruar, ku ka thënë se zhvillimin ekonomik e shoqëror e sheh tek zhvillimi i qytetarit dhe komunitetet pa dallim dhe se duhet të trajohen si të tillë.
“Në çdo shoqëri, progresi shoqëror nuk matet me kushtet, mundësitë dhe mirëqenien e atyre që gjenden në majë, por me kushtet, mundësitë dhe mirëqenien e atyre që gjenden më poshtë, e sidomos të atyre që gjenden në fund.
Afër 18% e qytetarëve tanë jetojnë nën kufirin e varfërisë, prandaj ata që jetojnë nën kufirin e varfërisë janë kaq të shumtë dhe u përkasin të gjitha komuniteteve pa dallim.
E di që liderë të shumtë kanë folur këtu edhe në të kaluarën. Kanë dhënë premtime për të ardhmen dhe kanë ngritë shpresën me fjalime mirë të thurrura, por që gjithçka është harruar me t’i përfunduar ato.
Unë nuk kam ardhur këtu për fjalim të mirë e as për të dhënë premtime. Jam këtu sepse kam një pikëpamje ndryshe për zhvillim dhe progres të shoqërisë tonë. Jam këtu sepse zhvillimin tonë ekonomik e shoqëror e shoh tek zhvillimi i qytetarit dhe komunitetet pa dallim. Në Republikën e Kosovës qytetarët janë të barabartë, ata duhet të bëhen të barabartë, ku nuk janë, medoemos”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se Kushtetuta jonë i veçon komunitetet por sipas tij nuk duhet t’i shohin komunitetet si programe apo si projekte pasi kjo do të bënte dallimin dhe diskriminimin, cili po ashtu do të angazhohet që secili qytetarë në Kosovë të përfitojë në mënyrë të drejtë.
“Kushtetuta jonë i veçon komunitetet, por unë nuk mendoj se duhet t’i shohim komunitetet si programe dhe si projekte, si departamente dhe si agjenci të ndara nga qeveria, sepse kjo do të bënte dallimin dhe diskriminimin që në fillim.
Unë dua të angazhohem që secili qytetar i republikës të përfitojë në mënyrë të drejtë e të barabartë nga politikat e shtetit të cilat sjellin rezultate konkrete, për të gjithë juve, për secilin prej juve. Edhe për ata të cilët sot nuk janë me neve, por i kanë të njëjtat halle e probleme.
Për këtë dua të flas sot, pra për individin dhe qytetarin e shtetit tonë, dhe, për mundësitë e barabarta e të garantuara nga shteti si shansë për progres kolektiv.
Me kushtetutën e Republikës së Kosovës, minoritetet gëzojnë të drejta të veçanta, krahas të drejtave dhe lirive themelore që i gëzon çdo qytetar i republikës.
Në këtë drejtim, Kosova i njeh dhe i trajton si komunitet i veçantë dhe i konsideron si të tillë edhe nominalisht, edhe praktikisht. Në këtë kuptim, kushtetuta jonë ka një kapitull të tërë për të drejtat e komuniteteve. Është kapitulli i tretë i cili rregullon përgjegjësitë e shtetit, të drejtat e komunitetit, përfaqësimin e tyre në organe të shtetit dhe në administratën publike.
Këto janë të drejtat e garantuara dhe të posaçme që i trajtojnë veçantë komunitetet. Të trajtosh tjetrin të veçantë do të thotë ta trajtosh disi të ndarë nga tërësia. Prandaj kurrsesi nuk duhet lejuar që veçantia e kujtdo qoftë të bëhet paragjykim, diferencim ose përjashtim nga shumica”, ka shtuar Kurti në këtë fjalim.
Kurti tutje ka thënë se duhet të investohet që të rritet përfaqësimi i komuniteteve brenda të gjitha partive e jo vetëm m’i nda ato, ai ka thënë se problemet janë të përbashkëta dhe nuk mundemi m’i zgjidh të vetëm e të izoluar.
“Ne duhet të investojmë e do të investojmë që të rrisim përfaqësimin e komuniteteve brenda të gjitha partive e jo thjesht t’i ndajmë ato.
Kur ne si shumicë u themi pakicave që të krijojnë partitë e tyre ne po u themi qe ju rregulloni vetë problemet tuaja.
Problemet tona janë të përbashkëta, prandaj nuk i zgjidhim dot të vetëm e të izoluar. Asnjëri nuk mundemi pa njëri-tjetrin”, tha ai.
Kurti po ashtu ka shtuar se për të hequr gjuhën e urrejtjes, për të ulur paragjykimet duhet të punojmë bashkë e jo si të ndarë e të veçantë, i cili po ashtu ka përmendur edhe braktisjen e shkollës që sipas tij kjo qeveri do të zgjidh pengesat e udhëtimit, të ushqimit në shkolla, ndalesat nga prindërit, e martesat e hershme.
“Kushtetuta jonë garanton dhe njeh diversitetin kulturor dhe identitetin e veçantë të komuniteteve. Për shtetin tonë ky diversitet kulturor është pasuri dhe aspak kërcënim, prandaj edhe do të vazhdojmë ta mbrojmë dhe kultivojmë.
Por politika jonë duhet të jetë ajo e pjesëmarrjes dhe jo e diferencimit.
Për të hequr gjuhën e urrejtjes, për të ulur paragjykimet mes vete, për të pranuar më shumë për njëri-tjetrin, ne duhet të mësojmë bashkë, të punojmë e të veprojmë bashkë. Jo si të ndarë e të veçantë, por si të bashkuar e të barabartë para kushtetutës e para ligjit, për demokracinë e republikën.
Mundësitë janë, nëse janë të garantuara. E këtu para se gjithash shkollimi.
Fëmijët nuk duhet të jenë në rrugë, por në shkollë.
Fëmijët nuk duhet të përdoren për punë, por duhet të mësojnë në shkollë.
Fëmijët nuk duhet të martohen, por duhet të mbarojnë shkollimin.
Kjo do të jetë përgjigja e qeverisë ndaj problemit të lypjes në rrugë, martesave të hershme dhe braktisjes së shkollimit.
Shkollimi është e drejtë e garantuar me kushtetutë, por nuk mund të thuhet se është e drejtë e barabartë sot në Kosovë.
Pengesat e udhëtimit, të ushqimit në shkolla dhe të ndalesave nga prindërit duhet të hiqen dhe të ofrojmë kushte të barabarta.
Qasjë në shkollë për fëmijët që jetojnë 50 metra larg saj nuk është e njëjtë si kurse për ata që bëjnë kilometra për të shkuar në shkollë. Fëmijët që mësojnë në shkolla të stërmbushura me nxënës, pa dritë, pa ngrohje e ku pikon uji nga tavani nuk janë të barabartë me ata që mësojnë në shkolla cilësore e modern”, ka thënë Kurti.
Ai tuje ka thënë se edukimi është çelësi i suksesit për individin dhe se investimi në edukim duhet të jetë i barabartë për të gjithë.
“Edukimi është çelësi i suksesit për individin, por është edhe çelësi për progresin tonë si shoqëri që të konkurrojmë në një botë të ideve dhe të dijes, investimi në edukim nuk ka alternativë dhe duhet të jetë dhe do të jetë për të gjithë i barabartë”, ka shtuar Kurti./InLajmi/