Sekretari i Përgjithshëm i Nismës, Bilall Sherifi, ka akuzuar Vetëvendosjen që po tenton t’ia grabisë gjashtë mandatet.
Akuza e Sherifit vjen pasi sot tre kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje i janë drejtuar me një ankesë Gjykatës Supreme kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, e në mbrojtje të së drejtës së tyre si deputetë të zgjedhur, si edhe votën e qytetarëve, njofton Klan Kosova.
“Qëllimi kësaj konference është për të demaskuar hipokrizinë dhe moralin e dyfishtë të Vetëvendosjes dhe të atyre që pretendojnë një fillim të ri në fakt nuk paraqesin asgjë më shumë se një të keqe në variantin e tyre”.
“Përderisa VV-ja ishte e kënaqur me 29 mandatet që ia ka dhënë populli i refuzonte votat nga Serbi. Por kur e pa që përmes 3 mijë të tjerave mund të grabisë 6 mandate të Nismës atëherë i hoqi masat. Nga patriot doli grabitqar. Kjo parti dëshiron të grabisë votat që kanë dalë nga 42 mijë votues të Nismës të rregullta dhe të ligjshme përballë 3400 vota kriminale”.
Sherifi në një konferencë për media edhe njëherë tha se fletëvotimet nga Serbia janë të paligjshme dhe se vendimi i PZAP-së është i ligjshëm.
“Pakot e fletëvotimet nga Serbia janë dorëzuar fizikisht nga persona të caktuar dhe këtu nuk kemi dërgim por dorëzim që i bie se nuk është plotësuar kushti i dorëzimit. Duke marrë për bazë që ato kanë arritur në postë pa vulë postare ato nuk mund të kategorizohen si fletëvotime nga jashtë”.
Sherifi tha se Vetëvendosje po ndryshon deklaratat për të ‘vjedhur mandatet e Nismës’, raporton Klan Kosova.
“Vetëvendosje po del me qëndrim sot duke thënë që thotë se PZAP ka bërë pazar dhe se vendimet e këtij institucioni s’kanë të bëjnë asgjë me procesin zgjedhor. Ata kanë vetëm një hall dhe synim e halli i tyre është fitorja”.