Ditë më parë, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, hodhi akuza ndaj Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se po t’iu ndodhte atyre kjo që i ndodhi partisë së tij, do ta kallnin Prishtinën.
Kjo pasi që, sipas Limajt, partia e Kurtit, nuk po i kundërshton votat e ardhura me postë nga Serbia, e të cilat ia pamundësuan koalicionit NISMA/AKR/PD, kalimin e pragut.
Por, deputetja më e votuar e legjislaturës së ardhshme, Albulen Haxhiu, në një përgjigje për Gazeta Blic, i është përgjigjur akuzave të Limajt.
Ajo ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, në zgjedhjet e vitit 2014 dhe 2017, i ka kundërshtuar votat e ardhura nga Beogradi, atëherë kur sipas saj, Fatmir Limaj, nuk e thoshte asnjë fjalë për këtë gjë.
“Anëtarët tanë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, qysh në fillim të procesit zgjedhor kanë kontestuar çertifikimin e Listës Serbe, një subjekti politik që kontrollohet nga Beogradi. Megjithatë ndonëse e kemi kontestuar, ky subjekt politik është certifikuar nga KQZ. Me tutje dy herë radhazi dhe jo vetëm në këto zgjedhje por edhe ne 2014 e edhe ne 2017 kemi kundërshtuar kontrabandiminin e votave nga Serbia, fatkeqësisht kemi qenë te vetëm në kërkesat tona”, ka thënë Haxhiu .
Po ashtu, sipas Haxhiut, Vetëvendosje, në këto zgjedhje, kishte qenë kundër certfikimit të Listës Serbe nga ana e KQZ-së, në mënyrë që kësaj partie t’i pamundësohet garimi në zgjedhjet e 6 tetorit.
Për një gjë të tillë, Haxhiu thotë se nuk e morën mbështetjen e as të Fatmir Limajt.
Haxhiu shkon edhe më tej, duke ia kujtuar Fatmir Limajt, se kishte qenë ai i cili ka qenë në qeveri me Listën Serbe, duke thënë se vetëm kur mbeti jashtë pragut zgjedhor, po i doket problem kjo parti.
“Fatmir Limaj sapo ka dalë nga koalicioni me Listën serbe. Asnjëherë nuk e kontestoi, as ai as partia e tij Listën Serbe. Tani kur qytetarët vendosen që partia e tij të mbetet jashtë pragut, fajet për ketë nuk i ka Lëvizja, por keqqeverisja abuzive e Nismës gjatë mandatit dy vjeçare. Tek tani kur mbeti jashtë pragut, po i duket problem lista serbe por kjo nuk është parimore”, ka shtuar Haxhiu.
Në fund, zyrtarja e lartë e VV-së, shton se këto akuza ndaj tyre, nuk i bëjnë punë as Nismës, e as Fatmir Limajt, transmeton Gazeta Blic.
“Prandaj mesazhin qe i kanë dhënë qytetarët, le ta marrin seriozisht. Akuzat e paqëndrueshme ndaj Lëvizjes, nuk i bëjnë punë”, ka thënë në fund Albulena Haxhiu.