Sot është mbajtur takimi i pestë i bisedimeve ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pas përfundimit të këtij takimi, para medieve ka folur Glauk Konjufca nga LVV, dhe ka treguar se kanë biseduar për Shëndetësinë dhe Arsimin.
Ai ka thënë që ky ka qenë një ndër takimet në të cilin këto subjekte politike janë pajtuar plotësisht.
“Grupet tona i shpalosën qëndrimet e secilit subjekt përkatës politik. Ka qenë një takim që është zhvilluar në pajtueshmëri dhe atmosferë të bashkëpunimit. Jemi pajtuar 100% për temat që i kemi ngritur për këto fusha të rëndësishme të jetës sonë”, është shprehur ai.
Ndërsa ka thënë që për secilën fushë janë trajtuar se paku 10 tema kryesore dhe theksoi se kanë gjetur pajtueshmëri thuajse të plotë shkruan Insajderi.
“Problemet kanë qenë të natyrës teknike dhe kohore, do të thotë se sa jemi në gjendje t’i arrijmë ato. Takimi i pestë ka pasur pajtueshmëri shumë të madhe sa i përket bisedimeve”, ka pohuar Konjufca.