Publikohet dokumenti arkivor me siglën “Tepër sekret” të nxjerrë nga arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit me një listë prej 315 emrash intelektualësh nga institucionet kulturore dhe artistike të kryeqytetit si p.sh.: Vaçe Zela, Rikard Ljarja, Ndrek Luca, Sali Shijaku, Edi Luarasi, Marie Kraja, Naum Prifti, Bujar Kapexhiu, Helena Kadare, Gëzim Erebara, Luigj Gurakuqi etj., ku përcaktohet dhe arsyeja e ndjekjes e survejimit të tyre, si dhe intervista e ish-kuadrit të lartë të Sigurimit të Shtetit lidhur me këtë listë…
Një listë e gjatë ku figurojnë rreth 315 emra intelektualësh të skenës, ekranit, artit, kulturës dhe letrave shqipe, ku midis tyre janë edhe mjaft personalitete të shquara si; Vaçe Zela, Rikard Ljarja, Sali Shijaku, Marie Kraja, Naum Prifti, Bujar Kapexhiu, Elena Kadare, Gëzim Erebara, Luigj Gurakuqi etj, ishin objekt survejimi dhe ndjekjeje nga organet e Sigurimit të Shtetit gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës. Dokumenti që po botojmë më poshtë, i cili është nxjerrë nga arkivat e shtetit shqiptar dhe që mban siglën “Tepër sekret” i përket vitit 1978. Dosja në fjalë, prej nga është nxjerrë dhe lista me emrat e 315 intelektualëve të kryeqytetit, ndodhet në dosjen e punëtorit operativ që ka shërbyer në atë periudhe kohe, i cili, për shkak të transferimit të tij në një detyrë tjetër, ia ka dorëzuar atë kolegut pasardhës. Lista e 315 intelektualëve është e kategorizuar në disa grupime, si p.sh: “Persona të regjistruar që i përkasin Drejtimit të Kundërzbulimit”, “Persona që i përkasin drejtimit të Grupimeve Kundër-revolucionare”, etj. Por për të pasur një ide më të qartë se ç’përmban ajo dosje, për çfarë ka shërbyer dhe përse figurojnë aty disa nga emrat më të njohur të artit, kulturës dhe letrave shqipe të para viteve ’90-të, në iu drejtuam për një intervistë të shkurtër, apo më saktë për një sqarim, njërit prej ish-funksionarëve të lartë të ish-Sigurimit të Shtetit, i cili preferoi të mbetej anonim. Intervista në fjalë, natyrisht që mund të ishte shumë më e gjatë dhe me shumë sqarime, por në po e botojmë më poshtë aq sa mundëm të marrim prej ish-funksionarit të lartë të Sigurimit të Shtetit, pa i bërë asnjë ndryshim, e marrë nga arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendëshme në Shqipëri. Dosja 479. Viti 1978, shkruan Memorie.al
A është autentik ky dokument që po botojmë më poshtë dhe përse shërbente ai?
Po, ky dokument është 100 % autentik dhe është një nga dokumentet e asaj periudhe, pra të para viteve ’90-të, kur ka funksionuar arma jonë e Sigurimit të Shtetit. Ky dokument ka të bëjë me dorëzimin e marrjen e detyrës nga dy funksionarë të Sigurimit të Shtetit, dhe si i tillë, pra në këtë kontekst kohor, ai duhet parë për kohën kur bëhet fjalë aty. Të ndalemi më konkretisht tek pyetja juaj: Sipas rregullit, procesi i marrjes dhe i lënies së detyrës vazhdonte një muaj, dhe kjo gjë ishte bazuar në rregulloret dhe urdhrat e Ministrisë së Brendshme. Gjatë këtij muaji, realizoheshin dy procese. Marrësi i detyrës, do firmoste se ishte njohur me të gjithë procedurën ligjore, aktet normative, rregulloret, etj. Në këtë proces realizohej marrja e detyrës: A – Agjentura, (Rrjeti Informativ), dorëzuesi i detyrës e njihte marrësin e detyrës, me kontakte fizike me agjenturën, sipas grafikut mujor të takimit. Në këtë proces, bëhej kalimi i marrjes në lidhje, si dhe respektohej etika me falënderimet përkatëse për punën e kryer deri në atë moment. B – Marrja në dorëzim e tërë dokumentacionit.
Çfarë dokumenti merrej në dorëzim?
Dokumente që kishin të bënin me agjenturën, dosje pune dhe dosje personale, (Dosjet Personale, ishin pak a shumë si dosjet e kuadrit dje dhe sot). Dosjet e Punës, përmblidhnin të gjithë materialin e punës të raportuar nga agjenti: Harmonizimi i kontaktit fizik me studimin e dokumentacionit, realizonte marrjen në dorëzim të rrjetit sekret informativ. Merrej në dorëzim…… 2-O. R. V (Objekte të Rëndësisë së Veçantë). Objekte të cilat gjykoheshin se ishin të një rëndësie të veçantë, për shkak të karakterit të tyre specifik, nga pikëpamja ekonomike, politike, ose shkencore. Këto institucione (O. R. V), siguroheshin dhe ruheshin me masa ushtarake, policore, si dhe agjenturore. P.sh., Radio-Televizioni Shqiptar, kishte njësi ushtarake dhe policore. Kabina e transmetimit (studio e lajmeve), ruhej me policë të armatosur çdo 24 orë. Radio-Stacionet, si Fllaga, Cërriku etj, ruheshin me forca ushtarake, policore, si dhe agjenturore, në çdo pike të saj. Të kthehemi tek Radio-Televizioni Shqiptar që përmendëm më lart: I gjithë rrjeti sekret informativ, ishte pothuaj në sferën teknike, dhe pothuajse inekzistent në redaksitë, programacionet, apo departamentet e tjera.
Kush ishin objekte të tjera O. R. V.?
Objekte të tjera O. R. V, ishin gjithashtu; hidrocentralet, ujësjellësit, fabrikat e bukës, etj. C-Dosjet Objekt Ndjekjeje: 1-Fashikulli ose Dosje e Përgjithshme Informative në të cilat shërbimi i sigurimit, grumbullonte informacionin, të dhëna, fakte, komente, opinione, etj, të cilat shërbenin si lëndë e parë për informacione, relacione, apo analiza, që ky shërbim i dërgonte udhëheqjes së lartë të vendit (Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe Byrosë Politike). P. Sh.: Në listën që botohet më poshtë, figuron edhe emri i Vaçe Zelës, këngëtares së famshme të para viteve ‘90-të. Sipas informacioneve të grumbulluara në rrugë operative, Vaçja, por dhe shumë artiste të tjerë, kishin pikëpamjen dhe mendonin se trajtimi financiar i artistëve tanë, kryesisht gjatë turneve jashtë shtetit, ishte jo dinjitoz dhe në përpjesëtim të zhdrejtë me kontributin që jepnin këta artiste në rritjen e popullaritetit të vendit në botë. Për shumë arsye, ky pretendim nuk transmetohej në rrugë institucionale, legale, të hapura, por në këtë rast ndërhynte shërbimi i Sigurimit dhe e çonte informacionin lart në udhëheqje.
Pra, për të gjithë këta persona që flisnin dhe shprehnin pakënaqësi kundër regjimit, hapej dosje dhe emri i tyre futej në listë për t’u survejuar dhe ndjekur në lidhje me këtë problem…?!
Në parim po, por duhet thënë se lista apo dokumentet që botohen më poshtë, të cilët bënin pjesë në fashikullin apo dosjen e informative, nuk ishin objekt ndjekjeje nga Sigurimi, por pika reference, për komunikim me udhëheqjen politike. Kjo listë ishte e normuar, që një herë në tre muaj të analizohej nga shefi përkatës, dhe nëse, problematika konsiderohej e ezauruar, ajo fshihej me procesverbal të rregullt. Siç fshihej një pjesë, ashtu mund të shtohej dhe një diçka tjetër që e nxirrte dinamika. Në rast se lista e mëposhtme është e vitit 1978, në vitin 1983, me zëvendësimin e punëtorit operativ përkatës, do të shihet se është një listë krejt e ndryshme nga kjo. Si përfundim listat, pjesë përbërëse e dosjes së përgjithshme të informatorit, nuk është listë e ndjekjes operative
Po cilat janë dosjet e ndjekjes operative?
Pyetja juaj është e saktë dhe këtu desha të dal? -Cilat janë dosjet e ndjekjes operative? 1-P. P (Përpunim Paraprak). Është ndjekje e cila synon verifikimin e të dhënave të grumbulluara. Në rast se e dhëna konfirmohej, personi vazhdonte të ndiqej dhe të kthehej në një objekt të zbatimit të të gjitha llojeve të punës operative. Në rast se nuk konfirmohej e dhëna, personi hiqej nga lista dhe materiali asgjësohej. Periudha e verifikimit të të dhënave ishte tre muaj. Dosje Ndjekjeje 2 A: Ishte procesi i ndjekjes dhe i zbatimit të të gjitha masave operative me agjenturë, sipas rastit me dëshmitarë, me mjetet e teknikës operative (T.O.), me agjenturë, me kontroll postar dhe telefonik, etj, duke aplikuar kështu vëzhgimin e personit, nëse situate e kërkonte. Ndjekja realizohej vetëm për figurat e krimit të parashikuar nga Kodi Penal i RPSSH-së, dhe secila figurë, kishte afatet e veta përkatëse të ndjekjes operative. Për ilustrim po japim afatet e ndjekjes operative sipas figurave të krimit. A-Agjitacion dhe Propagandë, jo më shumë se 1 vit, B-Terrori, sa më shpejt të jetë e mundur, dhe jo më shumë se 3 muaj, C-Arratisja, 6 muaj, D-Spiunazhi, 5 vjet. Këto afate, përcaktoheshin rigorozisht. Pasi plotësohej dokumentacioni si dhe procedura përkatëse, veprohej sipas rastit. 3-Format Përmbyllëse: Këshillime, arrestime për rastet flagrante, tërheqje nga bashkëpunimi me material komprometues, etj. Këto dokumente arkivoheshin në Ministrinë e Brendshme. Dosjet 2 B: Është për kontroll operativ. Këto ishin dosje për personat që dikur kishin qenë në veprimtari antiligjore, por me kalimin e kohës kishin hequr dorë, ose ishin këshilluar për këtë gjë, por që potencialisht mund të riaktivizoheshin. Për këto subjekte ekzistonte mundësia për rifillimin e veprimtarisë armiqësore. Për këtë arsye ata herë pas here, vëzhgoheshin. Po kështu, këto dosje shiheshin për cilësitë e tyre historike.