Sipas të dhënave të marra nga Agjencia Statistikore e Kosovës, vetëm për vitin 2018 janë të ricikluara mbi tre mijë tonë mbeturina duke e përfshi edhe riciklimin e mbeturinave të sterilizuara nga spitalet që kanë qenë 460 tonë gjithsej, ndërsa sasia e përgjithshme e mbeturinave të trajtuara për gjithë vitin kap shifrën mbi 400 mijë tonë. Duke e krahasuar nga viti 2017 del që viti 2018 nga sasia e mbeturinave në deponitë sanitare dhe josanitare sipas statistikave kanë shënuar rritje për dy përqind.
Qëllimi kryesor për realizimin e AMT 2018 ka qenë grumbullimi i të dhënave statistikore nga bizneset, që merren me trajtimin e mbeturinave (deponitë rajonale, objektet e trajtimit të mbetjeve spitalore, sterilizimi dhe objektet e trajtimit të mbeturinave industriale), që të sigurojë të dhëna statistikore të qëndrueshme, si dhe krijimin e serisë kohore.
Rezultatet e prezantuara në këtë publikim ofrojnë një burim të rëndësishëm statistikor për gjendjen e tanishme të këtij sektori.
Rezultatet nga AMT-së tregojnë se në vitin 2018: sasia e mbeturinave të ricikluara ishte 3 193 tonë; sasia e mbeturinave të sterilizuara (mbeturina spitalore) ishte 460 tonë. Kurse, sasia e përgjithshme e mbeturinave të trajtuara për vitin 2018 ishte 429 534 tonë.
Sasia e mbeturinave të trajtuara, sipas llojit të mbeturinave dhe llojit të trajtimit, e shprehur në përqindje, për vitin 2018, ishte si vijon: metalet (51%); mbeturinat nga plastika (28%); mbeturinat spitalore (12%); mbeturinat e djegura (6%); dhe mbeturinat e letrës dhe kartonit (3%).
Sasia e mbeturinave të deponuara në deponitë sanitare dhe josanitare, në vitin 2018, ishte 425 667 tonë. Krahasuar me te dhënat e vitit 2017, në vitin 2018 ishte një rritje e lehtë prej 2%. /InLajmi/