Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë i dorëzoi Policisë së Kosovës softuerin për ndërmarrje SPLUNK që do të përmirësojë mbrojtjen e të gjitha të dhënave të ndjeshme. Ky është një hap tjetër i Programit të Sigurisë në Kosovë (KSSP) / Luftimi i Krimit Kibernetik në Kosovë (C3K) në mbështetje të vazhdueshme për Policinë e Kosovës dhe palët tjera të interesit në ngritjen e teknologjisë dhe kapaciteteve njerëzore për parandalimin e sulmeve kibernetike me qëllim të rritjes së sigurisë kibernetike në përgjithësi.
Softueri i ndërmarrjes SPLUNK do t’i ofrojë mundësinë Policisë së Kosovës të monitorojë të gjitha sistemet e informacionit në kohë reale dhe me qasje integruese. Kjo është thelbësore për mbrojtjen e të gjitha të dhënave të ndjeshme brenda Policisë së Kosovës. Softueri do të ngrisë aftësitë e zbulimit dhe t’i bëjë më efikase veprimet e sigurisë përmes reagimeve më të shpejta që për këtë qëllim, do të sigurojnë të gjithë organet e zbatimit të ligjit dhe sigurisë në Kosovë.
Komisioni Evropian e karakterizon krimin kibernetik si një gamë e gjerë e aktiviteteve të ndryshme kriminale ku kompjuterët dhe sistemet e informacionit janë të përfshira ose si një mjet parësor ose si një objektiv kryesor. Krimi kibernetik përfshin vepra tradicionale (p.sh. mashtrim, falsifikim dhe vjedhje identiteti), vepra penale të lidhura me përmbajtjen (p.sh. shpërndarja në internet e pornografisë ku përfshihen fëmijët ose nxitje e urrejtjes racore) dhe vepra që kanë të bëjnë enkas me kompjuterët dhe sistemet e informacionit si p.sh. sulme kundër sistemeve të informacionit, mohim të shërbimit dhe malware (softuer që ka për qëllim të dëmtojë ose çaktivizojë kompjuterët dhe sistemet kompjuterike).
Programi i Sigurisë i UNDP në Kosovë (KSSP) është plotësisht i integruar në institucionet përkatëse të sigurisë me një strategji mbështetëse për palët vendore të interesit përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse të sigurisë në zhvillimin teknologjik, zbatimin dhe harmonizimin e kornizës përkatëse ligjore, strategjive dhe planeve të veprimit sipas praktikave më të mira ndërkombëtare dhe direktivës së BE-së për sigurinë kibernetike me qëllim të rritjes së sigurisë publike për të gjithë qytetarët me fokus të veçantë në sigurinë kibernetike.
Projekti Luftimi I Krimit Kibernetik në Kosovë (C3K) financohet nga Ministria Norvegjeze e Punëve të Jashtme, raporton indeksonline.