Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian Frederica Mogherini ka organizuar në Nju Jork darkën tradicionale të punës me liderë të Ballkanit Perëndimorë, në të cilën është shprehur përkrahja për dialog në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka kumtuar Shërbimi Evropian për Punë të Jashtme të BE (EEAS).
Në takimin e mbajtur të dielën mbrëma në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të KB në Nju Jork, është shprehur përkrahja për dialog në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe lidhja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe juridikisht e obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve, pretendohet në kumtesë.
Në darkën e punës kanë marrë pjesë, përfaqësuesit e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë Veriore, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Serbisë.
Në takim është shprehur përkrahja për hapjen e negociatave për hyrje në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore me vlerësim se ky vendim do të ishte vendimtar jo vetëm për këto vende, por edhe për gjithë rajonin dhe BE/ Insajderi/
“Të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor kanë konfirmuar përkushtimin e tyre të fuqishëm për perspektivën evropiane, duke theksuar se reformat po vazhdojnë ashtu si edhe bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore”, shtohet në kumtesë.
Pjesëmarrësit në takim kanë shprehur solidaritet me Shqipërinë pasi ky vend gjatë fundjavës është goditur nga një sërë tërmetesh.