Këngëtarja e njohur, Vesa Luma, është rikthyer në Zelandën e Re, pas një qëndrimi disa mujor në vendlindjen e saj, në Prishtinë.
Ajo dhe bashkëshorti i saj, Big Basta, bashkë me djalin e tyre Lianin, janë tashmë banorë legjitimë të këtij shteti, dhe kanë zhvendosur të gjitha aktivitetet e tyre atje.
Vesa është edhe e punësuar në Zelandën e Re, përkatësisht në shkollën e muzikës “Eliette’s Music Academy”, në Auckland të Zelandës së Re.
Teksa ishte në Prishtinë, në një nga intervistat e saj, këngëtarja nga Prishtina theksoi se atje punon si asistente-koriste, duke u mësuar të rinjve se si të përdorin sa më mirë zërin e tyre, raporton telegrafi.
Ndërkohë, së fundmi, Vesa publikoi në InstaStory disa imazhe nga ambientet e punës në Zelandën e Re, ku tregoi se ka marrë edhe djalin e saj në këtë shkollë të muzikës, që të nisë hapat e parë në këtë drejtim.
“Te puna e mamit”, ka shkruar ajo në mbishkrimin e një prej fotografive.
Vesa Luma përndryshe ka një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në tregun muzikor shqiptar, duke u shquar si një ndër zërat më të mirë që di të interpretojë live.