Futbollisti shqiptar Vedat Muriqi është lojtari shqiptar më në formë.
Sulmuesi nga Kosova ka shkëlqyer me fanellën e Fenerbahces në fillim të këtij edicioni, mirëpo paraqitje fantastike ka pasur edhe me Kosovën, transmeton Periskopi.
Në dy ndeshjet e muajit shtator, prizrenasi ka shënuar dy gola dhe ka dhuruar dy asistime.
E falë paraqitjeve të mira, mediat evropiane kanë raportuar se për të interesim kanë shfaqur skuadra të mëdha si Manchester United, Tottenham Hotspur, Atletico Madrid, Lazio, Napoli e Fiorentina.
“Nëse jam duke bërë ndeshje të mira dhe duke shënuar gola, nuk është vetëm për meritën time. Suksesi nuk është vetëm i imi, por i të gjithë ekipit”.
“Personalisht nuk kam oferta për t’u transferuar në ndonjë skuadër tjetër”, ka thënë Muriqi për mediat turke, përcjell Periskopi.
“Ndoshta menaxheri ka marrë ndonjë ofertë, por që ende nuk jam i njoftuar. Gjatë ditëve të ardhshme do të takohem me të”.
25-vjeçari ka thënë se momentalisht është i fokusuar vetëm tek skuadra e tij aktuale Fenerbahce.
“Jam i fokusuar te Fenerbahce pasi synojmë të bëjmë një sezon të madh. Momentalisht po mendoj vetëm për ndeshjen ndaj Alanyas”, përfundoi reprezentuesi kosovar.