Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se pas ngjarjes të ndodhur më 5 gusht 2019, rreth orës 15:40, në kryqëzimin e rrugës “Muharrem Fejza” me rrugën “Jakov Xoxa” në Prishtinë, ka ardhur fillimisht deri te përleshja fizike e më pastaj ka pasur të shtëna me armë zjarri në mes të të dyshuarve, F.R., M.R., dhe B.M., N.M., M.M., të cilët kanë qenë të implikuar në këtë rast.
Në njërën anë personat me inicialet F.R., dhe M.R., ndërsa në anën tjetër të dyshuarit me inicialet B.M., N.M., dhe M.M., kanë shtënë me armë zjarri. Ndërkaq, si pasojë e të shtënave të ndërsjella, lëndime dhe plagë të rënda në vendin e ngjarjes kanë pësuar të dyshuarit me inicialet F.R., M.R., B.M., dhe kalimtari i rastit, tani i dëmtuari G.R.
Në vendin e ngjarjes kanë reaguar menjëherë njësitet relevante duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka dalur në vendin e ngjarjes. Të lënduarit janë dërguar menjëherë për trajtim në QKUK, mirëpo si pasojë e lëndimeve dhe plagëve të marra, kanë ndërruar jetë personat me inicialet B.M. dhe M.R.
Sipas prokurorisë me urdhër të prokurorit kujdestar, janë ndaluar për 48 orë, personat me inicialet N.M., M.M., dhe F.R., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 të KPRK-së.
Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, dhe do të urdhërohet që të bëhet obduksioni, me qëllim të përcaktimit të shkaqeve të vdekjes së tyre.