Poezia është arritje përjashta përkatësisë së shprehjes, mit i fjalëve dhe dytazi mohim i fjalëve, më tepër shpirt, se sa lëndë, një triumf i gjuhës dmth kapërcim i saj, një rimishërim i mundësive, që s’artikulohen dot, Edmond Jabe: nëse flas gjuhën e Zotit… njerëzit nuk mund ta dëgjojnë, sepse Zoti është heshtja e të gjitha fjalëve, o, mendimi si figurë akustike, imazhi poetik është një bukuri, që mund të përmbysë një qytet, poezia është një tropologji që kërcënon, shumëkuptimshmëri e së njëjtës, është të rigjeturit e të folurit të humbur, pavdekësi e vdekësisë së pashmangshme, spirale e vijave të drejta, horizontalja si vertikalitet, semantikë e kërleshur, një Apolon në trupin e një kali, një Orfe në trupin e një shqiponje, Zarathustra, që thyen kompjuterat.
Harold Bloom: një fëmijëri e kaluar pranë televizorit do të shpjerë patjetër në një adoleshencë të ngujuar përballë kompjuterit. Leximin e merr lumi e bashkë me të edhe Njeriun, poezia i vret poetët t’i bëjë të pavdekshëm, Archibald Maclaish: poezia është e belbër si unaza antike në gisht, e heshtur si shkrepi me myshk te gropa, ku kanë mbirë filizat e ahut, poezia është tokësore, aq sa fluturimi i zogjve, është emocionale si baticat që nga Hëna, poezia është baraz me të pavërtetën, poezia nuk duhet të jetë pakuptim, por ja që edhe është, midis mendimit dhe gjuhës poezia është e trete.
Rilke: poezia është koha për fjalën, por dhe banesa e saj, çdo tekst është një listë e hapur e zjarreve të gjuhës, poezia është një ekzistencë e dytë e materjes, metafora është kur një send krahasohet me një tjetër me të cilin nuk ngjan, e megjithatë metafora nuk është krahasim, e gllabëron krahasimin, aty ku duhet të ishin dy është vetëm një, metafora gjërat e vdekura i bën të gjalla, metafora është mbartje, por edhe shmangie, metafora gjuhësisht është absurde, mendërisht e kuptueshme, logjika s’e pranon, por e përjetëson dialektika.
Metafora ndërtohet me lidhjen e ngjashmërisë, metonimia me lidhjen e varshmërisë, metafora arrin tek sinestezia, ku fjala i referohet dy a më shumë shqisave për të nxitur krijimin e imazhit poetik, poezia është algjebra e të pamundshmes.
Poezia është ftillesa dhe kritika e kuptimit, të folurit është vatra e domethënieve, poezia është mbi të folurit, poezia është eksterioritet, por më shumë brendësi – ndonëse jashtë lëndës, poezia e bën Njeriun Mendje Universale.
Poezia është parësore ndaj faktit, poezia është mjellma, që del nga thellësia e katakombeve e bëhet Krisht kozmik, është Misteri i Formës, sekreti i iluzionimit ndërmjet një vazhdimësie gjendjesh, ose objektesh konkrete, finalizim i shqisave dhe Urtësi në dukje e gënjeshtërt, është shkenca e shfaqjeve, që nuk spjegohen shkencërisht, që shpreh të Vetmen ndërmjet të Ndryshmes, ekuilibri i Dashurisë së shpirtrave, që vetëm urrehen, është martesa e një mermeri fluturues me një det të pagjumë dhe ëndërrimtar, është Hermesi i kthyer në Centaur, është gjeagjëza e Sfinksit në një kalendar alienësh, është omnipotenca e të gjitha pafuqive dhe Rasti i të gjitha domosdoshmërive, është zemra e çvendosur në kafkë.
Shelli: poezia dhe arti, që predikon t’i rregullojë dhe kufizojë fuqitë e tij nuk mund të bashkëjetojnë tok, dianoia e poezisë paraqet një formë, një shëmbëllim, një ideal, ose një model tjetër në natyrë, bota e natyrës është prej bronxi, vetëm poetët e bëjnë prej ari, poezia është simboli si monadë, imitim i ëndërrës, që e tejkalon mjeshtërisht dhe pabesisht, poezia është rezonanca midis një blete, që heq shpirt dhe Udhës së Qumështit të përshkruar si një shall i pafundmë, i cili shtrëngon tokën me një rrokje të kulluar, të padeshifrueshme, nuk ekziston nocioni të mbarosh dhe të përfundosh një poezi, lexuesi është poeti i dytë, ose sozia, poezia është gjethja që vërtitet nën Diell, ku nëpërduket tërë fati njerëzor midis ironisë dhe melankonisë, poezia nuk është një thelb, por një dinamikë, një energji, duke mos qënë i skllavëruar nga asnjë pikëpamje, poeti kërkon një syshikim të ri, midis hapësirës dhe kohës poezia koncentrohet tek koha, por ama si jokohë, flu-ja semantike rrit saktësinë poetike, Shën Pali: nëse shkruaj në gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, por më mungon dashuria, s’jam gjë tjetër veçse një buri, që rrëzohet, ose një cimbal, që përplaset, poezia është lingua adamica, është gjuha universale Natursprache, fjala është simboli i zbrazëtisë, poeti është mjeshtri që rrezikon shpëtimin ngaqë përdor fjalën dhe kompeson për zbrazëtimin universal, pikërisht me simbolin e vërtetë të zbrazëtisë (a mos është fjala vetëm zbrazëti?), ahere pse të mos e ndjekim poetin në iluzionin e tij të të jashtëzakonshmes?
Të flasësh shpesh do të thotë të bësh tautologji, poezia nuk është tautologji, poezia është më shumë alegori se sa kriptologji, Orfeu ka më tepër kuptim si Ajnshtajn, se sa si Euklid, poezia është eksorcizëm më shumë se sa teologji, estetika i tret dhe i pluhurizon teologjitë, fjala është epifani dhe jo thjeshtë ikonë, poezia zbulon, nuk formulon, poezia shpall, nuk klasifikon, poezia është e pamundëshmja, poezia është pavetore, poeti është vetor.