Në befasi i ka zënë 4 anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” vendimi i ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, për shkarkimin e tyre vetëm pak kohë pasi ishin emëruar dhe zëvendësimin me persona të tjerë.
Këtë vendim ata po e cilësojnë si të padrejtë derisa thonë se ministri po tenton ta shtrijë ndikimin politik në UP.
Të shkarkuarit nga ky bord janë: Muzafere Limani, Mentor Geci, Fisnik Reçica e Muharrem Bajrami. Në vend të tyre Likaj ka emëruar: Mimoza Hasani-Pllana, Arton Demhasaj, Merita Bogaj dhe Ujkan Bajra. Ky i fundit deri në muajin maj kishte qenë kryesues i Bordit të UP-së, por bashkë me 2 tjerë ishte shkarkuar nga ministrja Hykmete Bajrami.
Mentor Geci, që u shkarkua të mërkurën nga Bordi i UP-së, ka thënë se vendimi nuk ka bazë ligjore, teksa ka shtuar se lajmin për largimin e tij dhe të 3 kolegëve të tjerë e mësoi në media.
Edhe anëtarja tjetër e larguar, Muzafere Limani, përmes një përgjigjeje me shkrim ka theksuar se Këshillit nuk i është kërkuar ndonjë raport pune në bazë të të cilit do të ndërmerreshin hapat e mëtejmë. Sipas saj, meqë UP-ja është në prag të zgjedhjeve, me këtë po synohet të shtrihet ndikimi politik e partiak në zgjedhjen e anëtarëve të Senatit të UP-së, dekanëve të fakulteteve dhe në zgjedhjen e rektorit.
“Para se të flitet për pak muaj pas marrjes së detyrës, para së gjithash duhet të flitet për ndryshimin e përbërjes së KD në kohën para zgjedhjeve në të cilat po kalon UP-ja. Dhe kjo mund të interpretohet vetëm si synim i shtrirjes së ndikimit politik e partiak në zgjedhjen e anëtarëve të Senatit të UP-së, dekanëve të fakulteteve dhe në zgjedhjen e rektorit”, ka thënë ajo, raporton KTV.
Anëtari tjetër i shkarkuar, Fisnik Reçica, ka thënë se nuk ka asnjë arsye të vlefshme, ligjore e profesionale në vendimin e ministrit Likaj për ndërrim të anëtarëve të Këshillit Drejtues. I befasuar me vendimin është shprehur edhe anëtari tjetër i larguar nga ministri, Muharrem Bajrami.