Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në prag të raundit të ri të dialogut me Serbinë në Bruksel, tha se nuk do të lejojë krijimin e ndonjë forme të Republikës Sërpska në veri të Kosovës.
Në takimin e Kurtit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel më 2 maj, do të prezantohet drafti i statusit Asociacionit të komunave me shumë serbe që është një pikë kyçe e negociatave.
Këto komente ai i bëri në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve “Hina” dhënë gjatë forumit ekonomik në qytetin grek të Delphit.
Ai shtoi se ende nuk e ka parë draftin që do të paraqitet në Bruksel.
“Duke pasur parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të kishte qenë më mirë sikur të ma kishin paraqitur fillimisht në Prishtinë. Megjithatë, do të siguroj që të përmbushet ajo që tashmë është rënë dakord më 27 shkurt në Bruksel, ekzistenca e një niveli të duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e pakicave”, tha ai.
“Megjithatë, ajo që ne nuk do të lejojmë është e drejta e territorializimit dhe krijimit të çdo gjëje që do të dukej si Republika Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë. Nuk do të lejojmë një parashtet satelitor me thelb shkatërrues që do të minonte shtetësinë e Kosovës”, theksoi ai.
Kurti shtoi më tutje se sheh ngjashmëri me Rusinë në marrëdhëniet e Serbisë me vendet fqinje. “Megjithatë, vendi ynë është një vend normal demokratik që u jep të drejta individuale dhe të tjera qytetarëve të tij, por nuk lejon territorizim në bazë etnike, sepse është kundër demokracisë dhe republikës”, shtoi Kurti, në pushtet që nga marsi i vitit 2021.
Ai theksoi se iu shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnik, përkatësie sociale apo përkatësie fetare dhe se në Bruksel do të sigurojë kushtetutshmëri dhe ligjshmëri në tërë territorin e Kosovës.
“Sovraniteti dhe integriteti territorial janë diçka që nuk guxon të cenohet. Unë dua marrëdhënie normale me Serbinë, marrëdhënie evropiane, marrëdhënie të mira fqinjësore. Mbrojtja e minoriteteve është e rëndësishme për ne. Por ne nuk mund t’i japim pushtet ekzekutiv komunitetit lokal sepse pushteti ekzekutiv i takojnë qeverisë dhe komunave”, theksoi ai.
Gjithashtu, ne duam të forcojmë shërbimet publike që do t’u ofrohen të gjithë qytetarëve pa dallim etnie dhe jo t’i ofrojmë për shkak të përkatësisë etnike”, tha ai, transmeton Klan Kosova.
Pra, të presim dhe të shohim se si do të zhvillohet takimi në Bruksel”, ka deklaruar ai.