Të gjithë jo rrallëherë kemi pasur raste, kur kemi shkuar në një furrë të bukës apo kemi hipur në taksi dhe pavarësisht se e kemi kryer pagesën pothuajse në të shumicën e rasteve nuk jemi pajisur me kupon fiskal pavarësisht se bizneset janë të obliguara ligjërisht që të përfillin fiskalizimin që nga viti 2010, shkruan InLajmi.
Mosdhënia e kuponëve fiskalë në taksi dhe furra të bukës në shumicën e rasteve ka shkaktuar shpeshherë konfuzitet te qytetarët, nëse janë apo jo të obliguara këto biznese për fiskalizim, çka edhe ka bërë që ata të mos kërkojnë kupona fiskalë dhe pavetëdijshëm t’u shkelet kjo e drejtë e tyre, ani pse kjo shmangie nuk i ndikon vetëm qytetarëve, por edhe vetë buxhetit të shtetit, sikur edhe krijon evazion fiskal.
Për moslëshimin e kuponëve fiskalë nga bizneset e lartëcekura, zyrtarë nga Administrata Tatimore e Kosovës bëjnë të ditur se këto biznese janë të fiskalizuara dhe se obligimi i tyre ligjor është edhe lëshimi i kuponëve fiskalë.
Sipas tyre, papërgjegjësia në moslëshimin e kuponëve fiskalë është një dukuri që vazhdon edhe sot nga ana e bizneseve, por që ATK gjithmonë është në ndjekje të keqpërdorimeve.
“Administrata Tatimore e Kosovës është gjithmonë në ndjekje të keqpërdorimit ose moszbatimit të drejtë të ligjit që është në fuqi. Aktiviteti i taksive është i fiskalizuar gjithashtu edhe furrat e bukës që operojnë në territorin e Kosovës, por moslëshimi i kuponit fiskal nga ana e bizneseve është një dukuri që po vazhdon”, thuhet në një përgjigje për InLajmin.
Të pyetur se a mbikëqyren këto biznese në rast të shkeljeve të tilla, zyrtarë nga ATK thonë se e kanë të pamundur që t’i monitorojnë këto biznese, por kërkojnë nga qytetarët të raportojnë rastet e tilla.
“ATK e ka të pamundur që t’i monitorojë bizneset, nëse pas çdo blerje janë duke lëshuar kupona fiskalë. Ne inkurajojmë qytetaret e vendit, që t’i raportojnë rastet kur nuk pajisen me kupon fiskal”.
Zyrtarë nga ATK thonë se nuk mund të monitorojnë bizneset nëse lëshojnë kupona fiskal ose jo dhe këtë e kërkojnë nga qytetarët të raportojnë rastet e tilla, por kur bëhet fjalë penalizimin e tyre ata bëjnë të ditur se moslëshimi i kuponëve fiskalë, bizneseve mund të ju kushtojë në vlera financiare varësisht nga koha e shmangies së këtij obligimi ligjor.
Sipas zyrtarëve të ATK-së, për moslëshimin e kuponëve fiskalë dënimi shkon nga 125 euro dhe rritet varësisht nga kohëzgjatja e shmangies nga ky obligim ligjor.
“Masat ndëshkuese sipas te gjeturave nga inspektorët tanë tatimorë fillojnë nga 125 euro dhe kalkulohen varësisht prej shmangies së bërë”, thuhet nga ATK për InLajmin.
Kujtojmë se ATK është e obliguar për realizimin e detyrave dhe obligimeve që dalin nga legjislacioni tatimor, andaj të gjithë tatimpaguesit që nuk i përgjigjen kërkesës ligjore për t’u pajisur me pajisje elektronike fiskale, ndëshkohen me gjobë bazuar në Ligjin 03/L-222.
Ndryshe, sipas ATK-së kërkesa e përcaktuar me ligj për të regjistruar transaksionet përmes pajisjeve elektronike fiskale (lëshimi i kuponëve me rastin e shitjes së mallrave dhe shërbimeve), përveçse do të jetë në dobi të qytetarëve të Kosovës, përmirëson edhe aftësinë e Administratës Tatimore për t’u siguruar që të gjithë tatimpaguesit po i përmbushin obligimet e tyre tatimore dhe po i raportojnë me saktësi të ardhurat e tyre. Shqipe Vishaj /InLajmi/