Ekonomia e Shqipërisë dominohet nga sektori agro-ushqimor dhe turizmi, ndërkohë që Serbia dhe Maqedonia e Veriut po integrohen në zinxhirët e lartë të vlerës globale, me investime në industrinë automative dhe në teknologjinë e informacionit TIK
Një analizë për kontributin e sektorëve në ekonomitë e vendeve në Ballkanin Perëndimor nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare tregon se, ekonomia e Shqipërisë dominohet nga sektori agro-ushqimor dhe turizmi, ndërkohë që Serbia dhe Maqedonia e Veriut po integrohen në zinxhirët e lartë të vlerës globale, me investime në industrinë automative dhe në teknologjinë e informacionit (TIK).
Shqipëria ka avantazhe krahasuese vetëm në turizëm dhe energji, ndërsa në vendet e tjera të rajonit, të gjithë sektorët janë më të nxitur se në Shqipëri.
Agro-industria, Shqipëria me peshën më të lartë në PBB
Studimi i Institutit të Vjenës referoi se sektori i agro-industrisë ka peshën më të lartë në PBB. Të dhënat tregojnë se në Shqipëri, ky sektor zë 25% të PBB-së, ndërsa në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, 10-15%. Studimi tregon se të gjitha vendet në Ballkan kanë avantazh krahasues në sektorin e agro-industrisë, falë politikave mbështetëse, përveç Shqipërisë, shkruan Abc.News.
Nga ana tjetër, Marrëveshja e Gjelbër Europiane, kryesisht në aspektin e prodhimit ekologjik dhe të qëndrueshëm të ushqimit po nxit segmente të shkencës dhe teknologjisë, që lidhen direkt me industrinë ushqimore në disa vende të rajonit. Institucioni që ka reputacion të lartë edhe në BE është Instituti BioSense i Serbisë.