Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë ka publikuar edicionin e 23-të të Përmbledhjes Pulsi Publik, përcjell InLajmi.
Anketa e opinionit të Pulsit Publik bazuar në intervistat e kryera në nëntor 2022 përshkruan gjetjet mbi 10-të treguesit kryesorë që mbulojnë çështjet socio-ekonomike, mjedisore dhe politike.
Si tek të gjitha publikimet e mëparshme, të dhënat dhe treguesit janë zbërthyer sipas përkatësisë etnike dhe gjinisë në mënyrë që të sigurohen informata të detajuara mbi dallimet në perceptimet për sfidat zhvillimore me të cilat përballen qytetarët në Kosovë.
Gjithsej 69% e të anketuarve besojnë se zgjedhjet në Kosovë janë demokratike dhe sipas standardeve ndërkombëtare. Ky ishte komponenti më i vlerësuar i ID-së.
Niveli i kënaqshmërisë me performancën e kabinetit ekzekutiv kapi vlerën prej 41% dhe me punën e Kryeministrit prej 44.9%,
Kënaqshmëria me punën e Kuvendit kapi vlerën prej 39.1%, kurse kënaqshmëria me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës ishte 50.8%.
Anketa e nëntorit 2022 tregon që niveli i kënaqshmërisë me Presidenten ishte në 56.8%.
Ulje të dukshme pati në shkallën e kënaqshmërisë me Gjykatat dhe Zyrën e Kryeprokurorit, në 24.4% dhe 22% përkatësisht, krahasuar me prillin e vitit 2022.
Një numër dukshëm më i ulët i të anketuarve ishin të gatshëm të protestojnë për arsye politike në nëntor 2022, 24.2% sesa në prill 2022 37.6%. Ky është numri më i ulët i të anketuarve të gatshëm të protestojnë për arsye politike i regjistruar ndonjëherë nga Pulsi Publik.
Papunësia 29.9% varfëria 21% dhe çmimet e furnizimeve esenciale 17.4% u perceptuan si tri problemet kryesore në Kosovë nga të anketuarit kur u kërkua nga ta të zgjidhnin tri çështjet më problematike.
Gjithsej 31.2% e të anketuarve besojnë se vota e tyre mund të sjellë ndryshime. 69% e të anketuarve do të votonin, nëse zgjedhjet qendrore do të zhvilloheshin së shpejti.
8.9% e të anketuarve thanë se dinë shumë për sa i përket të drejtës për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm, 26.2% pohuan se kanë njohuri mesatare, kurse 46.1% e të anketuarve thanë se dinë pak për këtë temë. Gjithsej 18.8% thanë se nuk kanë njohuri për këtë temë.
Gjetjet tregojnë që 80.4% të të anketuarve ndihen të sigurt kur janë jashtë në rrugë, në aspektin e dhunës dhe krimit potencial. Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë treguan se meshkujt, 81.1% ndihen më të sigurt kur janë jashtë sesa femrat, 79.8%. /InLajmi/