Bilall Sherifi, ish-deputet i Nismës Socialdemokrate, ka thënë se Kurti nuk ka legjitimitet ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Bilall Sherifi, ish-deputet i Nismës Socialdemokrate, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është duke dhënë garanci se nuk do ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Ai ka thënë se në të kaluarën sa ishte në opozitë, e kërcënonte qeverinë e atëhershme me rrëzim nëse do ta themelonin Asociacionin, kurse tash sipas tij është duke dhënë shenja se do ta bëjë vetë një gjë të tillë.
“Ai i ka pasë 3 kushte, ta tërheqë nënshkrimin nga Zajdenica, nëse nuk mund ta bëjë atë të thërras referendum, ose duhet të shkojmë në zgjedhje. Nëse nuk dorëhiqet do ta rrëzojë Qeverinë e atëhershme”, ka thënë ai.
Sherifi u shpreh se Kurti, nuk ka të drejtë morale e as politike ta themelojë Asociacionin.
“Ai nuk e ka asnjë të drejtë morale e politike, njerëzore,, të bëjë diçka që të tjerët i ka kërcënuar me rrëzim. Nuk mund të kërkosh referendum, të kërkosh dorëheqje dhe t’i lësh mënjanë dhe t’iu zbatosh po ato politika që ke kërcënuar të tjerët”, ka thënë ai.
Për ta themeluar Asociacionin, sipas Sherifit, Kurti duhet ta dërgoj vendin në zgjedhje dhe të garojë me atë premtim, shkruan Tv Dukagjini.
“Është thikë pas shpine për 51% të votuesve nëse e themelon Asociacionin”, ka thënë ai.